Tash vonë do të shkonim drejt izolimit të plotë brenda vendit dhe brenda shtëpisë. Frika se qytetërimit po i vinte fundi, lexohej gjithkund. Kjo mbyllje totale, edhe pse dukshëm e superekzagjeruar, gjente një justifikim ngushëllues te gjendja e vështirë e infrastrukturës sonë shëndetësore dhe frikës se mos një situatë alarmante, si në Italinë fqinje, mund të çonte drejt një kolapsi të plotë të sistemit shëndetësor.
Shkruan: Selami Xhepa
Por, patjetër, ky veprim kishte pas një faturë serioze. Përveçse rreth 400 milionë euro që do duhej të shpenzoheshin për të mbajtur shoqërinë në mbijetesë dhe ekonominë në gjendje të ngrirë, humbjet ekonomike të llogaritura nga mungesa e aktivitetit ekonomik shkojnë në rreth 1.5 miliardë euro. Kjo humbje e zhbën progresin ekonomik të tri viteve: redukton të ardhurat për frymë (sipas FMN me 425 dollarë), redukton të ardhurat e buxhetit me mbi 700 milionë euro; rrit varfërinë me rreth 130 mijë persona, rrit papunësinë me më shumë se 70 mijë persona (sipas vlerësimeve të ndryshme). Kjo lexohet qartë te projektbuxheti i 2021: të ardhurat sa në vitin 2018; prodhimi i brendshëm rikuperon vetëm gjysmën e faturës së humbjeve të këtij viti dhe do të duhet fundi i vitit 2022 – nëse gjërat shkojnë mirë( !) – që të rikthemi atje ku ishim para pandemisë.
Po ku jemi sot?
Teksa afrojnë Krishtlindjet, numri i të infektuarve po e kalon shifrën e 300 personave çdo ditë; numri i viktimave po kalon shifrën 500. Mbi të gjitha, frika se po shkohet pandalshëm drejt kolapsit të sistemit shëndetësor po bëhet një angështi e madhe e shoqërisë. Sot, ministria deklaroi se nëse gjërat përkeqësohen, do të përzgjidhen pacientët që do shërbehen së spital, çka do të thotë se kush jeton dhe kush ndërron jetë do të vendoset administrativisht. Në fakt, kjo ishte frika që e përligji faturën e madhe që paguam nga mbyllja. Pra, pyetja legjitime është se nëse gjërat po shkojnë drejt përkeqësimit, përse vallë u ndërmorën sakrificat që bëmë për dy-tre muaj rresht? Përse tani që gjërat po përkeqësohen, qeveria nuk po merr asnjë masë kufizuese të pjesshme – në shembullin e Gjermanisë?
Ka një dallim të qartë në mënyrën se si Kina e menaxhoi krizën e mbylljes në dallim nga të tjerët. Në Kinë, mbyllja totale u shoqërua me testimet në shkallë të gjerë dhe rihapja ishte graduale dhe e kontrolluar. Mbështetja financiare totale ishte për sistemin shëndetësor dhe mbështetja për shtresat në nevojë dhe ekonominë ishte vetëm sa për të përballuar periudhën e “ngrirjes”. Sot, Kina po rritet me ritme po aq të shpejta sa në periudhat e veta normale: 4.9 për qind në terma vjetore për tremujorin e tretë. Vendi nga nisi pandemia dhe që u godit më fort se të gjithë nga virusi, është edhe vendi me historinë më të mirë të suksesit në menaxhimin e krizës.
Nga eksperienca të tilla duhen nxjerrë mësime dhe sakrificave që bëmë duhet t’u japim një kuptim. Sistemi shëndetësor nuk duhet lënë më mëshirën e disa dhuratave me pako që vijnë nga vende apo organizata të huaja, por duhet mbështetur me financime të forta që vetë stafet mjekësore të jenë të motivuara të kryejnë më mirë punën fisnike dhe heroike që ata bëjnë çdo ditë. Pajisjet mjekësore dhe medikamentet të jenë të disponueshme për çdo pacient dhe rimbursimi i shpenzimeve të mjekimit, edhe kur mjekimet zhvillohen në kushte shtëpiake, të jetë sa më parë i arritshëm për të gjithë. Nga ana tjetër, një mbyllje e pjesshme e disa aktiviteteve, si në rastin e Gjermanisë, duhet të shihet me prioritet absolut. Një mbyllje totale do ishte me pasoja katastrofale për ekonominë dhe që të mos shkojmë drejt saj, mbyllja e pjesshme dhe me kosto më të lehta duhet vënë sa më parë në zbatim.
Projektbuxheti i vitit 2021 duhet rishikuar akoma pa u miratuar. Shëndetësia duhet të vihet realisht në qendër të vëmendjes dhe të lëmë pa nisur disa vepra elektorale, të cilat do të hapin gropa aq të mëdha në financat publike, sa nuk do të ketë inceneratorë që t’i përpunojë.