Nisi viti i ri shkollor në shkollat e Ferizajt, 1590 nxënës për herë të parë në mësim
Yllkat dhe fatosat të gëzuar zunë karriget e klasëve kudo në shkollat e Ferizajt. Ata, të shoqëruar nga prindërit e me kujdes e dashuri u mirëpritën edhe nga mësimdhënësit. Rruga e dijes për 1590 prej tyre, nisi sot. Për t’i vizituar dhe uruar nxënësit, prindërit, mësimdhënësit e drejtuesit e shkollave, doli sot i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani. Shkolla model “Astrit Bytyçi” u përzgjodh për të ndarë emocionet në këtë fillim të vitit shkollor 2019/2020.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke vizituar e bashkëbiseduar me shumë nga nxënësit, prindërit, mësimdhënësit e drejtuesit e shkollës tha se qeverisja e tij, ka vizion të qartë e të mirëplanifikuar për rritjen e cilësisë në arsim. Ai, përveç përmirësimit të infrastrukturës shkollore, higjienës në shkolla, mjeteve të konkretizimit dhe kthinave të nevojshme, përmendi edhe investimet që po bëhen në ndërtimin e objekteve shkollore në Ferizaj.
Nxënësit, të dashur, të motivuar për mësime e plot entuziazëm në ditën e tyre të parë të shkollës, pranuan me dashamirësi e buzëqeshje urimin e Kryetarit Aliu për suksesin e tyre në këtë fillim vit shkollor.
“Uroj me dëshirën më të mirë që të jetë një vit i mbarë dhe realisht ajo që jemi këtu është për të ndarë emocionin sepse çdo herë kur është fillimi i vitit të ri shkollor është një emocion i veçantë, madje nuk është emocion i veçantë që është vetëm për nxënësit, për fëmijët tanë por është emocion edhe për personelin dhe pikërisht ne dëshiruam që të jemi pjesë e këtij emocioni, por emocioni më i veçantë në këtë pjesë të urimit sigurisht se është për ata që janë në klasë të parë, për fatosat e që në Komunën e Ferizajt janë 1590 dhe me këtë rast le të më lejohet që si Kryetar i Komunës, t’i uroj prindërit e tyre, t’i uroj fatosët që për herë të parë ulen në bankat shkollore kudo në shkollat e Ferizajt, për t’iu zotuar atyre se do të kenë mbështetjen tonë, si çdo herë por ajo që do të vazhdoj të jetë konsistencë është që të përmirësohen në radhë të parë kushtet e tyre dhe ambientet ku ata do të zhvillojnë aktivitetin mësimor, por mbi të gjitha, përpjekje jonë e vazhdueshme është që me politikat tona, me konsistencën të përmirësojnë edhe cilësinë” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu
Edhe drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani duke bërë bilancin e gjithë përgatitjeve për këtë fillim vit shkollor tha se Ferizaj qëndron mjaft mirë me përgatitjet dhe se mësimi ka filluar me rregull në të gjitha shkollat e Ferizajt, përjashtimisht këndeve shkollore ku është njoftuar për intervenime të ndryshme teknike.
Drejtori i shkollës “Astrit Bytyçi”, Ramadan Ademaj falënderoi të parin e Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtorin Llabjani për vizitën, mbështetjen e kurdohershme për këtë shkollë dhe investimet që po kryhen në arsimin lokal.
Discussion about this post