Për projektet infrastrukturore të zotuara në Shtëpinë e Bardhë ka lëvizje pozitive dhe hapa konkretë drejt realizimit të tyre nga Qeveria e Kosovës.
Kështu ka thënë ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi në konferencën për media për prezantimin e 100 ditëshit të punës së tij.
Ministri Abrashi ka thënë po ashtu se projektet infrastrukturore që janë prezantuar në ShBA më 4 shtator janë ndër projektet më strategjike që kanë marrë mbështetjen nga Shtëpia e Bardhë dhe po mbështeten tash edhe nga Bashkimi Evropian.
Madje, për autostradën Besi-Merdare, që është ndër projektet e zotuara në Uashington, Abrashi tha se do të nisë të ndërtohet në pranverë që ka kosto deri 250 milionë euro.
“Projektet të cilat e mbulojnë këtë ministri, sikurse autostrada, hekurudha, stacioni multimodal dhe fizibiliteti për hekurudhën drejt portit në detin Adriatik, mendoj se ka lëvizje pozitive edhe hapa konkret. Të hënë e ardhshëm do t’i takojë zyrtarët e DFC-së dhe besoj që jemi një hap para finalizimit të marrëveshjes financiare. Kam dorëzuar tek ta(DFC) studimin e fizibilitetit që për autostradë ekziston, e dimë sa kushton, e dimë trasenë dhe si do të duket. Prandaj, për këtë projekt mund të fillojmë shumë shpejt dhe tani flasim vetëm për mobilizim të fondeve për me u realizuar ky projekt. Tek hekurudha duhet fizibiliteti, edhe për hekurudhën në drejtim të Merdares, edhe për pjesën deri në detin Adriatik. Fizibiliteti përfundon këtë vit për këto dy projekte hekurudhore… Unë besoj që autostrada Besi-Merdare fillon gjatë pranverës së vitit të ardhshëm”, tha Abrashi.
Ndërsa, sfidë për këtë Abrashi thotë se mbetet shpronësimi i pronave, ku kanë mbetur pezull mbi 300 projekte infrastrukturore, edhe pse ka buxhet të mjaftueshëm për realizimin e tyre.
Ministri Abrashi fol i edhe për rrugën Podujevë – Prishtinë, për të cilën tha se është paraparë që të hapen llote të reja dhe punime me intensitet më të lartë, pasi si ky projekt ka mbetur mbrapa.
“Një rrugë që nuk është trajtuar ose është mbetur anash për një kohë të gjatë dhe e cila është mjaft e frekuentuar, fatkeqësisht ka edhe shumë aksidente, tanimë kemi filluar me trajtuar që është rruga Prishtinë-Podujevë. Për të cilën rrugë kemi një buxhet dhe synojmë shumë shpejt me i hap procedurat për llotet e mbetura. Rrugë tjetër të cilën ne synojmë me investuar vitin e ardhshëm është rruga nga Peja deri në bjeshkët e Rugovës, dhe mandej lidhja me Malin e Zi. Hasi në Prizren është anashkaluar për një kohë të gjatë dhe këtë vit është pjesë e buxhetit. Synojmë me i hap llotet e mbetura të rrugës nga Komorani deri në Skënderaj, sepse edhe kjo rrugë ka mbetur për një kohë të gjatë”, tha ai.
Ministri Abrashi po ashtu tha se në pranverë nis edhe autostrada Kijevë-Zahaq, ku në tetor pritet të shpallet tenderi që është projekt përmes financimit të BERZH-it.
Duke folur për 100 ditshin e punës së tij, ai tha se prioritet kanë edhe Aviacionin Civil, ku synohet të ulet taksa në Aeroportin e Prishtinës.
Ndërsa, në fund Abrashi tha se pret që për vitin e ardhshëm të shkurtohet buxheti për këtë Ministri për shkak të pandemisë.