Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) tha se një në pesë persona në Jemen ka çrregullim mendor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga zyra e UNFPA-së në Jemen me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, thuhet se një në pesë persona në vend ka çrregullim mendor.
Parashikohet që ky numër mund të jetë edhe më i lartë për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) dhe luftës që po zhvillohet në vend për rreth gjashtë vjet.
Deklarata potencon se përqindja e psikiatërve për frymë në vend është e pamjaftueshme dhe se situata u përkeqësua nga mbyllja e disa prej qendrave të shëndetit mendor për shkak të pandemisë.
Ndërsa aktorët aktivë të ndihmës humanitare planifikojnë të zvogëlojnë mbështetjen e tyre financiare, këtë vit ka nevojë për më shumë mbështetje të shëndetit mendor.
Fehmiye al-Fetih, zyrtare e informacionit të UNFPA-së, tha për AA se fondit i duhen 9 milionë dollarë deri në fund të vitit 2020 për programin e mbrojtjes së grave (mjekësore, psikologjike dhe ligjore) dhe për programet e mbështetjes psikologjike.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim thotë se ka vetëm 50 psikiatër të regjistruar në Jemen.
Paqëndrueshmëria politike ka mbretëruar në Jemen për shumë vite, ndërsa rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, mbajnë nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa zona të tjera që nga shtatori i vitit 2014.
Forcat e koalicionit të drejtuara nga sauditët kanë mbështetur autoritetet e Jemenit në luftën kundër rebelëve që nga marsi i vitit 2015.