Autoritetet e Australisë të mërkurën thanë se rreth 380 balenat që u bllokuan në shtetin jugor ishullit Tasmania kanë ngordhur, ndërsa 50 të tjera janë shpëtuar nga ekipet e shpëtimit, njoftuan mediat lokale.
Ekipet e shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë 50 balena nga një grup i madh që kishin ngecur në bregun perëndimor të Tasmanisë, por 380 kafshë kanë ngordhur dhe 30 të tjera janë ende të bllokuara dhe po luftojnë për të mbijetuar, njoftoi ABC News.
Më parë, Departamenti i Industrive Primare, Parqeve, Ujit dhe Mjedisit përmes një deklarate theksoi se kanë zbuluar një grup shtesë prej rreth 200 balenash të bllokuara në jug në limanin Macquarie në bregun perëndimor të Tasmanisë.
Ky është një nga incidentet më të mëdha të bllokimit masiv në plazhe në shtetin jugor Tasmania të Australisë.
“Balenat e tjera u gjetën shtatë deri në dhjetë kilometra më thellë në port dhe besohet të jenë pjesë e së njëjtës ngjarje bllokimi masiv në qytetin Strahan (në bregun perëndimor të Tasmanisë). Kjo rrit numrin e përgjithshëm të bllokimit masiv të balenave në më shumë se 450”, thuhet në deklaratë.
Të martën, autoritetet lokale thanë se një e treta e 270 balenave të bllokuara në rëre në Macquarie, afër qytetit Strahan, rreth 190 kilometra nga Hobart ngordhën të hënën.
“Shumica e balenave shtesë të zbuluara nga ajri ka të ngjarë të kenë ngordhur, por një anije është drejtuar atje mëngjesin e sotëm për të bërë një vlerësim nga uji”, tha Nic Deka, menaxheri rajonal i Kontrollit të Incidenteve dhe Shërbimit të Parqeve dhe Kafshëve të Egra.
“Sigurisht që kemi kërkuar gjerë e gjatë bregdetin. Në atë pjesë të portit, tani uji ka një ngjyrë shumë të errët, kështu që ne mendojmë se ata mund të jenë bllokuar potencialisht, kanë notuar përsëri në ujë dhe më pas të kenë notuar përsëri në gji, kështu që kjo e bëri më të vështirë për ta që të zbulohen më herët”, shpjegoi ai.
Sipas zyrtarëve, shkalla e vdekshmërisë tek balenat e bllokuara është rritur.
“Kjo ngjarje e bllokimit ka qenë më e madhja në Tasmani. Globalisht, ka pasur disa ngjarje shumë më të mëdha se kjo, dy herë më të mëdha se sa për shembull në Zelandën e Re. Në Tasmani, kjo është më e madhja që kemi regjistruar”, tha Kris Carlyon, biolog i kafshëve të egra në Programin Detar dhe të Konservimit.