Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte i ftuar në takimin e organizuar në Athinë nga “The Economist” me titull “Ballkani Perëndimor përtej 2020-s”.
Rama tha se Turqia është një vend kyç për sigurinë e kufijve të Evropës.
“Unë besoj që ka absolutisht potencial në marrëdhëniet turko-greke të cila janë të dobishme për Evropën, sepse Turqia është absolutisht një vend kyç për kufijtë e Evropës. Pa asnjë dyshim mund të them se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nuk është një person antigrek, apo politikan antigrek dhe nuk ka dyshim që e shkuara ka treguar që, kur ka një vullnet, ka një zgjidhje”, tha Rama në Athinë.
“Dialog, dialog,dialog… Pa ua lënë të tjerëve, pa sjellë të tjerë, thjesht dialog i mirëfilltë. Natyrisht asgjë nuk është e lehtë, por është absolutisht e mundur dhe jam 100% i bindur që marrëdhëniet konstruktive turko-greke mund të jenë një vlerë e shtuar për të gjithë Evropën. E faktikisht, Greqia është në pozicionin e duhur për të qenë ndërmjetësi i ndershëm për të dhe jam i sigurt që kjo do të ndodhë, por deri sa kjo të ndodhë, nuk e di se çfarë do të ndodhë, kjo është fjala ime e fundit.”, tha Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.