Kreu i delegacionit të BE-së në Serbi, Sam Fabrizi, deklaroi sot se hovi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të ruhet, dhe se nuk ka asnjë arsye për të caktuar afate.
Fabrizi tha se si ndërmjetësues në dialog, BE është e gatshme të vazhdojë aq shpejt sa dëshirojnë të dy palët, se dialogu nuk është kurrë i lehtë, por se dinamika e tij është e mirë.
“Ne presim që raundet e ardhshme të bisedimeve do të jenë edhe më të vështira, por të dy palët janë të gatshme të angazhohen në negociata, gjë që është pozitive. Siç thanë shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell dhe emisari evropian për dialogun Mirosllav Lajçak, takimi i udhëheqësve brenda dialogut Beograd-Prishtinë shkoi mirë,” tha Fabrizi për Blic të Serbisë.
I pyetur nëse pret që marrëveshja ligjërisht e detyrueshme të nënshkruhet deri në fund të mandatit të Lajçak më 31 mars 2021, Fabrizi tha se ‘nuk ekziston asnjë arsye për të folur për afatet kohore’, por që Borrell, Lajçak dhe vendet anëtare e kanë bërë të qartë se nuk ka asnjë arsye për zvarritje. /KP