“Por, ne duhet të adoptohemi, duhet ta pranojmë këtë situatë, nuk është e mirë për ne po ashtu as për mua”, tha trajneri i kombëtares kosovare në futboll, Bernard Challendes
Trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës në futboll, Bernard Challendes ka folur në prag të dy ndeshjeve të Kosovës me Moldavinë (3 shtator) dhe Greqinë (6 shtator), në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, raporton (AA).
Challendes në një konferencë për media ka thënë se nuk do të jetë e lehtë që Kosova të ketë një ekip të komponuar për dy ndeshjet e ardhshme megjithëse ka premtuar në gjetjen e një formacioni ideal si ndaj ndeshjes me Moldavinë që zhvillohet në Parma të Italisë, ashtu edhe ndaj Greqisë që do të zhvillohet në Prishtinë.
Trajneri i Kosovës, Challandes e ka pranuar se nuk do të mundë të llogarisë në disa futbollistë në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, kundër Greqisë, për shkak të rregullave të koronavirusit për karantinim.
“Është vërtetë shumë e vështirë tani që të organizohemi, të mendojmë vetëm për futbollin, të provojmë zgjidhje futbolli në këtë kohë. Por, ne duhet të adoptohemi, duhet ta pranojmë këtë situatë, nuk është e mirë për ne po ashtu as për mua”, tha Challendes.
Liga e Kombeve, siç tha Challendes, është një garë ku “duhet të marrim përvojë, të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e tetorit që e luajmë kundër Maqedonisë së Veriut”, kur Kosova do të luaj në ‘play-off’ për kualifikim në EURO 2020.
Megjithatë, Challendes tha se do të jetë i vështirë kombinimi i duhur për të gjithë lojtarët e kombëtares kosovare, “marrë parasysh që kemi situata të ndryshme për futbollistët të caktuar, sepse kemi lojtarë që kanë filluar fazën përgatitore para një jave, kemi lojtarë që tashmë janë në ritmin e ndeshjeve dhe janë duke zhvilluar ndeshje, por po ashtu kemi lojtar që akoma janë në periudhën e ndërmjetme të transferimit dhe nuk janë duke luajtur me asnjërën skuadër”.
“Nuk dua të flas me emra të veçantë për lojtarët, megjithatë është e qartë se kemi situata të ndryshme varësisht prej ligave dhe shteteve prej nga vijnë lojtarët. Sido që të jetë ne kemi bërë përpjekje që të kemi të gjithë ata lojtarë për ndeshjen e parë kundër Moldavisë dhe pastaj ata do të mund të kthehen tek klubet e tyre pa pasur nevojë të futen në karantinë kurse me pjesën e mbetur të ekipit do të përgatitemi për ndeshjen ndaj Greqisë”, tha Challendes.
Ai shtoi se në një situatë të tillë Kosova përballet me vështirësi shtesë kur ajo është futur në listë si vend me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e koronavirusit, por siç tha ai, ndonjëherë është shteti, ndonjëherë rajoni, ndonjëherë Qeveria dhe ndonjëherë klubi ai që paraqet probleme.
Trajneri zviceran që i prinë Kombëtares kosovare në futboll ka rinovuar në këtë konferencë bashkë me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, kontratën e re për periudhën 2020-2022.
Kosova është në Grupin 3 në kuadër të Ligës së Kombeve me një grup me Greqinë, Moldavinë dhe Slloveninë.