Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti, kryeparlamentarja Vjosa Osmani si dhe koordinatori për dialogun me Serbinë Skënder Hyseni janë paralajmëruar më 27 korrik të këtij viti për shkeljen e territorit të Kosovës, në brezin kufitare me Serbinë nga ana e xhandarmërisë serbe.
Përmes shkresave zyrtare Bashkësia Lokale e Karaçevës ka kërkuar nga Presidenca, Kryeministria, Kuvendi ka njoftuar këto institucione me shqetësimet e banorëve lidhur me pasigurinë e jetës së tyre nën kërcënimin e vazhdueshëm të forcave serbe, raporton “Zeri.info”.
Letrat e dërguara, presidentit Thaçi, kryeministrit Hoti, kryeparlamentares Osmani dhe koordinatorit Hysenit janë të protokolluara me vulë të shtetit se janë pranuar nga këto institucione.
Përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale Karaçevë, Selver Lenjani në emër të qytetarëve të fshatit Karaçevë u ka kërkuar këtyre zyrtarëve shtetëror që të shfrytëzojnë autoritetin dhe fuqinë e tyre politike për të reaguar për sensibilizimin dhe mbrojtjen e interesave shtetërore dhe lokale për qytetarët e Karaçevës, përcjell “Zëri”.
“Tash e 21 vjet qytetarët e Karaçevës po jetojnë me ankth dhe shpresë të venitur për fatin e tyre lidhur me gllabërimin e pronave të tyre dhe pasigurinë kolektive e cila përshkon këtë anë kufitare të Komunës së Kamenicës”, thuhet në dokumentet siguruar nga “Zëri”.
Lenjani tha sot për “Zërin se kanë kërkuar edhe takim me krerët e shtetit, por janë refuzuar. “Kemi kërkuar takim, kanë refuzuar që të na takojnë. Asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje nga ata për letrat informuese lidhur me situatën dhe kërkesat tona që të na mbrojë shteti dhe as për kërkesën për takim me ta që t’i informojmë lidhur me pasigurinë e jetës sonë”, tha ai.
Fatkeqësisht këto probleme nuk janë ngritur as nga protagonistët e dialogut me Serbinë i cili ka filluar që nga viti 2011, pjesë e së cilit janë Thaçi, Hoti e Hyseni. E nuk është se ka pasur sensibilizim e ngritje të këtij problemi në masë të madhe as nga këta së bashku me Osmanin.
Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë llogaritet të jetë dikur rreth 381.6 kilometra e gjatë, po që ende nuk është kryer ndonjë demarkim apo vendosje e vijës kufitare pranuar nga dy shtetet. Kjo llogaritet të jetë një ndër sfidat që pritet ta ketë shteti i ri i Kosovës, marrë parasysh faktin se Serbia pretendon vazhdimisht pjesë të territorit të Kosovës brenda saj, ndonëse shtetësia e Kosovës është njohur nga më shumë se 100 shtete ndër më të fuqishmet në botë si dhe Gjykata Ndërkombëtare më 2010 dha verdiktin e njohjes së Kosovës shtet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.