Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 475 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 196 raste pozitive.
Numri total i rasteve pozitive është 9.688 raste nga 39.278 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 300 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 134 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 5.480 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.908.
Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 45 raste, komuna Pejë 20 raste, komuna Ferizaj 15 raste, komuna Gjakovë 12 raste, komuna Podujevë 12 raste, komuna Gjilan 10 raste, komuna Fushë Kosovë 9 raste, komuna Prizren 9 raste, komuna Mitrovicë 8 raste, komuna Vushtrri 8 raste, komuna Malishevë 6 raste, komuna Suharekë 6 raste, komuna Viti 6 raste, komuna Deçan 5 raste, komuna Istog 4 raste, komuna Kaçanik 4 raste, komuna Dragash 3 raste, komuna Lipjan 3 raste, komuna Rahovec 3 raste, komuna Drenas 2 raste, komuna Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Kamenicë, Klinë, Obiliq dhe Skenderaj.
IKSHPK thekson se zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët si dhe bartja e maskave mbetet obligative.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”.