Në Beograd të Serbisë kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur. Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar.
Sipas tij, dhjetëra pacientë janë dërguar për trajtim në spitalin e Pozharevcit, të Smederevës dhe të Mlladenovacit.
Pas një takimi me drejtorët e spitaleve, Lonçari theksoi se po punohet në çdo drejtim, për të gjetur mundësi të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
“Nëse situata vazhdon me këtë numër të të infektuarve sistemi shëndetësor do të jetë në telashe”, tha Lonçari.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër përhapjes së pandemisë, në mënyrë që sistemi shëndetësor të sigurojë ndihmë adekuate për të gjithë.
Serbia deri më tani ka regjistruar 17.342 të infektuar me koronavirus. Prej tyre 352 kanë vdekur.
Që prej paraqitjes së rasteve të para në mars e deri më sot Serbia ka kryer 471.700 teste për koronavirus. /REL