Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet samiti virtual i Parisit, nën udhëheqjen e presidentit francez, Emmanuel Macron.
Vetëm dy ditë më vonë do të ketë një takim mes Kryeministrit kosovar, Avdullah Hotit dhe presidentit serb, Aleksandar Vucic, gjë që përbën edhe rifillimin e dialogut. Sidoqoftë, nga kjo nuk pritet ndonjë marrëveshje e jashtëzakonshme.
Kështu po theksojnë zyrtarët e BE’së, të cilët thonë se nuk duhet të pritet shumë nga ky takim.
“Takimi i së dielës, 12 korrik në Bruksel, mes liderit kosovar dhe atij serb, i ndërmjetësuar nga BE, përfaqëson vetëm rifillimin e bisedimeve që janë ndërprerë në nëntor të 108 dhe nuk ka ndonjë pritshmëri për ndonjë marrëveshje ‘’të jashtëzakonshme’’ në këtë fazë të procesit midis dy palëve”, është thënë nga zyrtarët e unionit.
Hoti foli pak rreth këtij takim duke thënë se po e pret datën e konfirmuar dhe Zyra e Kryeministrit nuk janë dhënë detaje se si do të përfaqësohet Kosova.
Gjithë këto takime dhe zhvillime në kuadër të rifillimit të dialogut po ndodhin vetëm pas dështimit të takimit të parapare në Shtëpinë e Bardhe në Uashington, i cili dështojë pas bërjes publike të inicimit të aktakuzave kundër Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK, Kadri Veseli.
Tani që Presidenti Thaçi është detyruar të tërhiqet nga puna aktive, duket se europianet po nxitojnë ta shfrytëzojnë këtë vakum për të fuqizuar Hotin si përfaqësues i vetëm i Kosovës, përkundër faktit se udhëheq një Qeveri të dobët dhe nuk gëzon legjitimitet qytetar.
Kujtojmë se zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi emrat e Thaçit e Veselit si të dyshuar për krime lufte, por jo edhe 9 personave të tjerë që u përmenden në njoftim.
Vlen të theksohet po ashtu se akuza nuk është proceduar dhe vulosur nga Gjykata Speciale.
Ndërsa, nga analistët vendorë e ndërkombëtarë është komentuar si ndërhyrje politike kundër bisedimeve në Shtëpinë Bardhë që pritej të fillonin më 27 qershor.