Në fakt, kush janë mu’tezilitët dhe çfarë është mendimi i tyre?
Mu’tezilitët janë shkolla teologjike-filozofike e parë në historinë e mendimit islam që merr për bazë ration, intelektin dhe arsyen për kuptimin dhe zbërthimin e ajeteve kur’anore dhe të jetës në përgjithësi.
Kjo shkollë e konsideron arsyen si gjykatësi dhe vlerëzuesi kryesor i mësimeve islame.
Mendimi bazë i pikëpamjes mu’tezilite është mësimi mbi lirinë e vullnetit, mbi lirinë e mendimit dhe mbi rëndësinë e arsyes. Sipas tyre, parimet e fesë i mbështetë edhe arsyeja. Ata mendojnë se entitetet dhe nocionet e tyre përmbajnë karakteristika që mund të njihen edhe me anë të mendjes. Sipas veçorive dhe karakteristikave që i përbëjnë ato, disa janë të lejuara e disa të ndaluara.
Vetëm urdhri si urdhër i Zotit që diçka të kryhet (e lejuar) e diçka tjetër të mos kryhet (e ndaluar), nuk i bënë gjërat të dobishme, respektivisht dëmshme. Urdhri i Zotit veç e vërteton se një gjë, që ka karakteristika të caktuara, për shkak se i ka të tilla, ose lejohet, ose ndalohet. Arsyeja e shëndoshë është mjet shumë i fortë për t’i njohur gjërat. Zoti nuk ka krijuar asgjë në natyrë që të mos njihet, përndryshe, mendojnë ata, përse të thirremi ne për të njohur jetën dhe natyrën?!
Sipas mu’tezilitëve çdo gjë në natyrë mund të njihet me atë të arsyes. Ata mendojnë se manifestimi i vullnetit, drejtësisë dhe i mëshirës së Zotit në natyrë bëhet nëpërmes ligjeve të Tij. Njeriu, si qenie që rezonon dhe që posedon aftësinë e të logjikuarit është i obliguar të udhëheqë me natyrën dhe t’i njeh ligjet e Zotit në te. Kjo njohje mund të arrihet nëpërmes arsyes dhe shqisave.
Arsyeja dhe shqisat tona janë të krijuara ashtu që të mund të kemi qasje në natyrën që na rrethon. Mu’telizilët shumë kohë para Dekartit e Francis Bekonit folën për rëndësinë dhe vlerën e shqisave dhe arsyes. Ata janë të parët që e pasuruan mendimin njerëzor me dy shkolla të reja; me racionalizmin dhe empirizmin.
Si racionalist që ishin, ata mendonin se dyshimi është bazë shumë e fortë e njohjes. Sikur edhe Dekarti më vonë, i cili kishte thënë se duhet rrënuar çdo gjë dhe të fillohet nga fillimi, me fjalë të tjera, duhet dyshuar në çdo gjë për të arritur deri tek njohja e vërtetë, edhe përfaqësuesi më eminent i mu’tezilitëve, Xhahidhi, mendonte se skeptiku megjithatë është më i mirë se injoranti, dhe thotë:
“Secilës njohuri pozitive i paraprinë dyshimi. Është absurde të besohet se mund të kalohet prej një njohje në tjetrën pa patur fillimisht dyshim në atë të rejën që do të njihet”./Gazeta Mejdani/