Në dy ditët e fundit në disa media ishte raportuar se ka thyerje brenda anëtarëve të Kryesisë së LDK-së. U tha gjithashtu se kjo thyerje kishre ardhur si rezultat i mos pajtimit të Lutfi Hazirit dhe Agim Velit që Vjosa Osmani të mandatohej për kryeministre nga radhët e LDK-së, shkruan Gazeta Mejdani.
Megjithatë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pas nominimit të Vjosa Osmani për kryeministre të vendit nga kjo parti, ka thënë se janë njerëz të durimit.
“Kjo periudhë që nga 3 gushti na ka shërbyer për t’u përgatitur për zgjedhje. Jashtë nesh në mënyrën se si vendosim nuk na kuptojmë. Durimi është kulturë e LDK-së”, ka thënë Haziri, njofton Klan Kosova.
“Ju garantojmë që nga ky minutë deri më 6 tetor do të punojmë që të festojmë dhe bashkë dhe ta rikthejmë LDK si forcë të parë politike për dekadën e ardhshme”.
Ai ka falënderuar Isa Mustafën për delegim të përfaqësimit të partisë në politikat zgjedhore.
Ndërkohë ky subjekt politik ka shprehur gatishmërinë që të shkojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme, teksa për koalicionin me VV kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk do të nguten dhe se do të shohin cili është interesi i partisë.
Ndryshe, presidenti i Republikës sё Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot vendim për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ka caktuar ditën e diel, 6 tetor 2019, datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas njoftimit për media në vendimin e nënshkruar thuhet se “duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 06 tetor 2019”. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post