Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se takimi i paralajmëruar për 27 qershor në Washington është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në intervistën dhënë për Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se nuk ka adresë më të besueshme për Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi që të bisedohet për prekje kufijsh.
Zëri i Amerikës: Zoti president, me 27 qershor ju dhe udhëheqësit e Serbisë jeni ftuar nga ambasadori Richard Grenell në një takim në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë prisni nga ky takim?
Hashim Thaçi: Është takim i një rëndësie të veçantë, po themi historike, sepse për herë të parë të dy vendet tona takohen, apo kanë pranuar që të takohen në Shtëpinë e Bardhë. Është një interesim do të thotë i politikës më të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga vet presidenti Trump, dhe tash kemi një angazhim shumë aktiv, dinamik dhe shumë energjik. por me të vërtetë me vizion të ambasadorit Grenell. Pres që të kemi një vullnet të dyanshëm, të punojmë seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për të mirën e dy vendeve, popujve tanë. Është shumë me rëndësi që të dy vendet tona, edhe Kosova edhe Serbia, kanë treguar zotimin e vet, por edhe besimin që ky proces të jetë i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, është një mundësi e artë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme dhe për të ardhmen e sigurt të të dyja vendeve në rrafshin edhe zhvillimor por edhe atë të vlerave euroatlantike.
Zëri i Amerikës: A prisni që në këtë datë të arrihet një marrëveshje me Serbinë?
Hashim Thaçi: Ne jemi duke punuar seriozisht si institucione të Kosovës. Ne shkojmë me vullnetin që të bëjmë përparim, përparim substancial në qasjen që ne pretendojmë të punojmë. Kemi besim të plotë në përkushtimin e ambasadorit Grenell, dhe tash gjithë ekipit të administratës së Shteteve të Bashkuara që do të kyçen. Në anën tjetër mendoj që është një mundësi që asnjëra palë nuk dëshiron ta humbë, sepse një qasje negative që mund të paraqitet aty do të jetë natyrisht me një çmim, dhe Kosova nuk është e gatshme të paguajë çmim, por është e gatshme të shfrytëzojë mundësinë për arritje të një marrëveshjeje të rëndësishme për konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Zëri i Amerikës: Zoti president, cilat janë ato vijat e kuqe të themi të Kosovës në këtë takim?
Hashim Thaçi: Mendoj që ne fillimisht duhet të orientohemi se çka synojmë të arrijmë, e atë çka ne synojmë të arrijmë është respektimi i plotë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, respektimi i gjithë asaj çka ne kemi arritur, pra lirisë, pavarësisë, sovranitetit, dhe në anën tjetër duke respektuar parimet dhe standardet ndërkombëtare por edhe të fqinjësisë së mirë. Të inkorporohen gjëra të cilat ndikojnë për të mirën e të dy vendeve, për të mirën e njerëzve dhe qytetarëve tanë. Kështu që mendoj se gjërat janë duke shkuar në drejtim të duhur për arritjen e marrëveshjes me 27 qershor. Pra unë jam optimist se marrëveshja mund të arrihet, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë.
Zëri i Amerikës: Për çfarë marrëveshje po flisni zoti President?
Hashim Thaçi: Ne duhet të përgatitemi për synimin që e kemi, një marrëveshje kjo që sjell të mira për njerëzit tonë, që ndryshon qasjen zhvillimore, që sjell investime në Kosovë, që siguron dhe garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve të vendit në kuptimin më afirmativ të mundshëm, që i hap perspektivë Kosovës që të jetë pjesë në të ardhmen e afërt e NATO-s dhe Bashkimit Evropian por edhe ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Unë mendoj se asnjë adresë më e mirë, më e qëlluar, më e saktë dhe e besueshme nuk ka për Kosovës sesa Washingtonin, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si Kosovë, ne gjithmonë kemi kërkuar që në tryezë të bisedimeve të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tash jo vetëm që janë në tryezë, por janë edhe udhëheqës të këtij procesi, prandaj besimi ynë është i plotë se gjërat do të shkojnë në drejtim të mundësisë së arritjes së një marrëveshje në këtë proces që udhëhiqet nga SHBA-ja.
Zëri i Amerikës: A flitet në këtë marrëveshje edhe për çështjen e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë?
Hashim Thaçi: Synimi parësor i yni është që të kemi në fund të procesit njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në gjithë organizatat ndërkombëtare.