Kur braziliania 97-vjeçare, Gina Dal Colleto, ishte dërguar në spital më 1 prill me simptoma të koronavirusit, pak njerëz kanë mundur të mendojnë se ajo do të mbijetonte. Megjithatë, të dielën ajo u lirua nga spitali pasi u shërua nga virusi vdekjeprurës.
Përderisa po e largonin nga spitali përmes karrocës, ajo u duartrokit nga mjekët dhe infermierët pasi u bë pacientja më e vjetër në Brazil që është shëruar nga virusi i ri, shkruan “Reuters”.
Shërimi i saj i papritur shërbeu si një fije shprese në shtetin më të goditur nga virusi në Amerikën Latine. Koronavirusi e ka vënë në sprovë serioze sistemin shëndetësor të vendit dhe ka ngjallur debat të ashpër politik në lidhje me masat që duhet të merren në luftën kundër tij.
E mbijetuara e vetme e një familjeje italiane me 11 fëmijë, Dal Colleto jeton e vetme në qytetin bregdetar të Santosit, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
“Edhe me gati një shekull jetë, Gina ka një rutinë shumë aktive dhe i pëlqejnë ecjet, blerjet dhe gatimi. Ajo i ka gjashtë nipër e mbesa dhe pesë stërnipër e stërmbesa”, thuhet më tej në deklaratë./Gazeta Mejdani/