Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur se nga partia e tij janë angazhuar ekspertë për të analizuar rrethanat dhe masat për rimëkëmbjen e ekonomisë pas COVID-19.
Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se do të trajtohen burimet e brendshme dhe të jashtme financiare, e po ashtu do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se prioritet do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomisë.
Postimi i plotë:
Qytetarë të respektuar,
Ballafaqimi me pasojat COVID-19 do të jetë mbi te gjitha prioritetet.
Në LDK është angazhuar një ekip ekspertësh, për të identifikuar të gjitha masat për rimëkëmbjen ekonomike dhe financiare nga pasojat e këtij virusi; për konsolidimin e mëtejmë të sektorit shëndetësor dhe atij të arsimit.
Do të trajtohen të gjitha burimet dhe potencialet e brendshme dhe të jashtme financiare, do të analizohet strukturimi emergjent i buxhetit në aspektin e konsumit, kursimit dhe likuiditetit dhe masat për likuiditetin e sektorit financiar në tërësi.
Prioritet themelor do të jetë mbështetja e sektorit privat të ekonomise dhe e punësimit si dhe masat lehtësuese për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.