Nuk janë të shumtë filmat që bëjnë bujë të madhe tek shikuesit. Disa prej tyre, padashtas bëhen temë diskutimesh edhe për një kohe të gjatë pasi të jenë shikuar, shkruan Gazeta Mejdani.
Zakonisht, filmat që ngjallin emocione, që përshkruajnë lidhjet me familjen, tek shqiptarët ngjallin interesim të paparë. Është ky një fakt se ata janë të lidhur ngusht për familjen, me farefisin, bash si trungu që është i lidhur nyje-nyje për rrënjët e tij.
Filmi turk ‘7. Kogustaki Mucize’ (Mrekullia në qelinë numër 7), e prekë pikërisht këtë segmentet të jetës sonë. Andaj ky film ka marrë vlerësime të larta nga audienca shqiptare.
Nëpër rrjetet sociale kanë vërshuar komente të shumta dhe interesante në lidhje me këtë film. Pati edhe rekomandime për njerëzit me zemra tepër të “buta” që të mos e shikojnë këtë film!
Mustafa Bajrami, në një status të tij në Facebook i këshillon miqët dhe miqët e miqve të tij të mos e shikojnë filmin. Përndryshe, thotë ai, do të ‘pendohen’ po aq sa ai ishte ‘penduar’! ‘Lotët s’do t’i ndalni për një kohë të gjatë’ ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Përse bëhet fjalë aty?
Filmi fillon me një ngjarje të dhimbshme. Flet për dramën e një babai të burgosur padrejtësisht dhe pastaj për jetën e vajzës së tij të vogël që mbetet pa kujdesjen e babait.
Diku në një fshat bregdetar në Egje, mbytet në det vajza e një koloneli të ushtrisë turke. Edhe pse filmi niset kështu, më vonë, ai do të flet mëtepër për një histori të dhimbshme midis një babai të sëmurë mendor, Memo dhe vajzës së tij Ova. Memo akuzohet padrejtësisht për vrasjen e vajzës 6 vjeçare të një koloneli të pashpirt. Nëpërmes zhvillimit të ngjarjeve dramatike më pastaj, shikuesve u përcillet mesazhi mbi dhunën që atëbotë ushtronte aramata turke mbi popullsinë e pafajshme.
Siç ndodhë zakonisht në diktatura pas grusht shteteve, kur ushtria i merr të gjitha kompetencat e menaxhimit të shtetit dhe etës shoqërore, në edhe në këtë film tregohet një ngjarje kur ushtaraku godet qytetarin në fytyrë dhe e rrëzon për tokë. Është ky momenti kur babai i varfër i Ova-s bënë përpjekje ta marrë çantën e kuqe për bijën e tij. Në fakt, tregimi pasqyron ngjarjet e pas vitit 1980, kur gjenerali i ushtrisë turke me prejardhje shqiptare, Kenan Evren, e kryen grusht shtetin e përgjakshëm, dhe për dhjetë vite rresht në Turqi ushtrohet një dhunë e paparë diktatoriale nga ushtria. Kenan Evren do të zgjidhet për president i vendit në vitin 1980 e vazhdon deri në vitin 1989.
Gjithsesi, në film, përkundër sjelljeve të egra të kolonelit ogurzi, ushtarakët tjerë tregojnë një humanizëm të madh. Duke i vënë edhe pozitat e tyre në rrezik, ata e shpëtojnë Memon nga ekzekutimi në litar. Për ta bërë ngjarjen edhe më interesante, regjisori e ‘sjell’ një të burgosur plak i cili do të pranojë vullnetarisht të varet në mënyrë që të shpëtonte një të pafajshëm. Në fakt, sipas rrefimit të filmit, plaku ishte ai që dikur kishte vrarë vajzën e tij, nënën e Ovas, pikërisht për shkak të traditave patriarkale se vajza nuk duhet të dashurojë pa lejen e prindit dhe se ai, për më tepër se kaq, nuk lejonte që vajza e tij të martohej me Memon, babai e Ova-s që kishte probleme shëndetësore.
Një segment tjetër i rëndësishëm që e përcjell filmi është sjellja humane e një të burgosi tjetër, i cili, me gjithë akuzën që po e rëndonte, ai, në një moment delikat tregon shpirtin e tij human dhe i ndihmon Memos. Në mënyrë klandestine atij ia sjell vajzën brenda qelisë së burgut.
Për më tepër, filmi flet edhe për rolin e gjyshës që është tepër të rëndësishëm në jetën e fëmijëve. Ajo i përgjërohet ushtarakëve të cilët po e rrahnin Memon pamëshirshëm ta lejonin të bisedonte me Memon, sepse, vetëm ajo është në gjendje ta kuptojë gjuhën e tij. E kishte rritur dhe ishte kujdesur për Memon përgjatë gjithë jetës.
Një mesazh tjetër prekës është edhe momenti kur shokët dhe shoqet e klasës së Ova-s e përsheqin atë për shkak të babait të saj që ishte me aftësi të kufizuara. E këtu, regjisori nuk harron të nënvizojë rolin e mësueses e cila, më vonë, shkon deri atje sa e merr Ovan jetime të jetojë me te në shtëpinë e saj.
Në film përmendet edhe lidhja e ngushtë që krijohet mes bariut dhe bagëtisë së tij. Kjo lidhje aty pasqyrohet nëpërmes sekuencës kur Memo i numron emrat e nëntë deleve teksa ishte pyetur për anëtarët e familjes së tij. E kjo përgjigje e Memos shkaktoi një huti të madhe dhe të qeshura të papërmbajtshme tek të burgosit që nuk kishin pasur kafshë e bagëti.
Në film, Ova dhe Memo e përdorin një gjuhë specifike, të veçantë dhe tejet të prekshme. ‘Lingo, lingo’, është thirrja e babait, “Shishe shishe”, pason përgjigjja e Ovës, vajzës së tij të dashur.
Në fakt, ‘Lingo lingo’ është një referencë për një këngë tradicionale turke që përdoret shpesh nga valltarët ‘Lingo, Lingo, Shisheler’. Shprehja “Lingo-Lingo” nuk ka ndonjë kuptim të veçantë në gjuhën turke. I përngjet fjalës “la-la-la” në këngët shqipe.
Filmi tregon Turqinë e viteve të 80-ta kur ende ishte në fuqi dënimi me vdeej. Atëbotë kur ushtria turke ishte tepër e dhunshme ndaj qytetarëve. ky film xhirohet diku në një fshat të varfër në brigjet e Detit Egje.
Filmi pati edhe kritika të ashpra negative. Një analist i kinematografisë turke shkroi: A pak i kemi problemet tjera politike e sociale, që të na servohej edhe ky film? A nuk duhet edhe të qeshim, apo na qenkësh shkruar vetëm që qajmë e vajtojmë?
Filmi “7. Kogustaki Mucize” i cili është një rast i ‘mrekullueshëm’ për të qajtë, u publikua për herë të parë në tetor të vitit 2019 në Netflix. Filmi ende po vazhdon të ketë shikueshmëri të madhe./Gazeta Mejdani/