Shtëpia botuese shqiptare nga Shkupi, ‘Logos-A’ e cila ka bërë emër dhe me insistim të pashembullt vazhdon sukseset e saj, kohëve të fundit po tregohet e ndjeshme edhe ndaj momenteve të rënda që tani e kanë kapluar shoqërinë tonë, shkruan Gazeta Mejdani.
Bazuar një një postim që e bënë kjo shtëpi botuese në llogarinë e saj në Facebook, ‘Logos-A’ ka filluar të dhurojë libra falas online në kohën e pandemisë.
Zyrtarët e Logos i konfirmojnë redaksisë sonë se kjo nuk është hera e parë që ‘Logos-A’ dhuron libra falas. “Vetëm në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë kemi dhuruar 100.000 libra falas, ndërsa në ditët e mësuesit dhe të nënës, me 7 dhe 8 mars, kemi dhuruar mbi 30 mijë libra”, thuhet nga andej.
Për më tepër, është rast i mirë që këto ditë përderisa jemi duke qëndruar të myllur nëpër shtëpitë tona, të shfrytëzohet mundësia e përfitimit nga ky humanizëm i Logosit.
Ju rikujtojmë se ‘Logos-A’ deri më tani ka botuar mbi 1000 libra të zhanreve të ndryshme dhe konsiderohet ndër shtëpitë botuese, botimet e të cilës lexohen më së shumti në hapësirën gjithëshqiptare.
Më poshtë gjeni postimin e plotë në llogarinë e ‘Logos-A’ në Facebook:
Në kohën kur pandemia e virusit Covid-19 ka kapluar globin dhe kur gjithë bota shfaq solidarizimin e vet, Këshilli Botues i SHB “Logos-A” ka vendosur që këtë gjendje të rënduar ta zbusë duke mundësuar libra online për lexuesit që janë të detyruar të rrinë në shtëpi ose të izolohen për shkak të pandemisë.
Vendimi i Këshillit Botues është që prej sot çdo javë të lëshojë online nga 10 libra të fushave të ndryshme, për mosha të ndryshme dhe për përgatitje të ndryshme intelektuale e profesionale.
Në këtë mënyrë, përveç si dhurues i librit në format të shtypur përgjatë viteve të kaluara, tash e tutje Logos-A do ta ketë edhe identitetin e dhuruesit të librit online. Kështu, në këto ditë kur nga njerëzit e gjithë botës kërkohet të rrinë në shtëpi, Logos-A ka marrë rolin që t’u ndihmojë atyre, duke ua lehtësuar qëndrimin në shtëpi nën shoqërimin e librave të Logosit.
Kryefjala e kësaj fushate është “Rri në shtëpi e LEXO!”/Gazeta Mejdani/