Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka dhënë edhe sot kohë kryeministrit, Albin Kurti, që ta heq tarifën 100 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe t’i kërkoj falje LDK-së, për veprimet e tij, në qoftë së dëshiron të vazhdojë bashkëpunimi mes tyre.
E këto veprime të LDK-së, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci po i cilëson si puç ndaj Qeverisë.
“Mendoj që është puq ndaj Qeverisë e cila është zgjedhur me votën e popullit. Lëvizja Vetëvendosje më 6 tetor i ka fituar zgjedhjet me liderin më të votuar në vend, Albin Kurti. Populli e ka votuar këtë Qeveri, andaj mocioni bie ndesh me atë që populli e ka votuar më 6 tetor”, ka deklaruar Bajqinovci për Telegrafin.
Ndryshe, pas shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e tij si ministër i Punëve të Brendshme, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se do të dalin nga koalicioni qeverisës dhe se do të nisin mocion për rrëzimin e Qeverisë.
Mocionin për rrëzimin e Qeverisë janë deklaruar se do ta mbështesin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin e tyre.
Kujtojmë se për rrëzimin e Qeverisë duhen 61 vota.