Autoritetet në Korenë e Jugut kanë vendosur t’i mbyllin kishat në kuadër të luftës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri COVID-19, raporton AA.
Qindra kisha në gjithë Korenë e Jugut janë mbyllur në kohën kur ky vend, si shumë të tjera, po lufton në mënyra të ndryshme për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Kisha më e madhe protestante në vend, që numëron rreth 560.000 anëtarë, lutjet i mbajti online.
“Megjithëse është rregulli që të vihet në kishë për meshë, kjo megjithatë është një situatë e jashtëzakonshme”, tha kleriku Kim Doo-hyung.
Në Korenë e Jugut, 50 njerëz kanë vdekur si pasojë e koronavirusit deri më tani, me më shumë se 7.300 të infektuar, që është numri më i lartë jashtë Kinës, epiqendrës së epidemisë.
I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi ka marrë jetën e mbi 3.500 njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar mbi 100 mijë vetë.
OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.