Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të marr nga Qeveria Haradinaj që ia mundësonte Bechtel Enka-s edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçeve dhe një mbikalimi në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abixhiku tha se kostoja e prezantuar nga konsorciumi Bechtel Enka kap vlerën e 49.6 milion eurove.
“Kjo kosto është pasqyruar në një kontratë që ende nuk është nënshkruar. Më 25 shkurt 2020 kam pranuar një letër përsëriste nga konsorciumi Bechtel Enka me anë të cilës pretendohet një faturë prej 5.9 milion eurove për periudhën nga shtatori deri në shkurt. Për çdo muaj shtesë detyrimet e Kosovës ndaj Bechtel Enkes shtohen nga 1.18 milion euro në muaj”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shtuar se situata është se nuk ka marrëveshje të nënshkruar në mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bechtel Enkas, por ka një vendim valid të Qeverisë.
Abdixhiku shtoi se mendimi i tij personal bazuar në projeksionet buxhetore, është qe qeveria të shfuqizoi vendimin dhe të shmangë obligimin prej 49.6 milion eurove.
Këtë vendim e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq ka marrë edhe mbështetjen e gjithë kabinetit qeveritar.
“Edhe unë jam për këtë vendim. Duhet të ndalet kjo gjakderdhje financiare, ku paratë po na rrjedhin si lumë”, tha Kurti.
Vendimi i mbledhjes se Qeverisë të mbajtur më 28 maj 2019 kishte të bënte me zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” deri në fund të vitit 2020. Në pikën 2 sqarohej se kjo zgjatje e punëve po bëhej për të përfunduar ndërtimin e disa kyçeve në autostradë./Telegrafi/