Deontay Wilder nuk është më i pamposhtur. Ai nuk është më as kampion i botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionin WBC, pasi këtë titull ia mori Tyson Fury.
Boksieri amerikan ka pranuar se kundërshtari i tij ishte më i fortë dhe e meritoi fitoren, porse nuk ishte i kënaqur me vendimin e ekipit të tij për ta dorëzuar meçin.
“Jam në rregull. Gjëra të këtilla ndodhin. Më i miri fitoi sonte, por këndi im e hodhi peshqirin dhe unë isha gati të vija mburojën. Shumëçka më ka ndodhur para kësaj ndeshjeje. Është çfarë është, por nuk kam arsyetime”.
“Vetëm do të kisha dashur që këndi im të më lejonte të dilja me mburojën time. Unë jam luftëtar. Ai bëri paraqitje të shkëlqyer dhe ne do të kthehemi më të fortë”.
“Edhe më të mëdhenjtë kanë humbur dhe janë kthyer, kjo është pjesë e sportit. Duhet ta pranosh ashtu siç është. Nuk mund të arsyetohem për këtë që ndodhi… Do të kthehem më i fortë”.
“Ky është boksi i nivelit më të lartë, më i miri duhet të përballet me më të mirin. I falënderoj tifozët që erdhën për ta mbështetur spektaklin dhe shpresoj që të gjithë të kthehen shëndosh e mirë nëpër shtëpitë e tyre”, ishin fjalët e ish-kampionit.