Jurgen Klop nuk ka dyshime sa i takon favoritit për Champions League në këtë edicion. I intervistuar nga “The Guardian”, tekniku i Liverpulit ka folur për mundësitë e skuadrës së tij për të mbrojtur titullin e trofeut më të lakmuar në Europë.
“Përpara se të niste sezoni i Championsit, favoriti për mua ishte Juventusi. Por sigurisht që nuk e ndjek futbollin italian aq sa duhet sepse habitem kur shoh që Juve nuk po kryeson me të paktën 10 pikë avantazh. Në jetën time nuk kam parë ndonjëherë grup lojtarësh më të mirë dhe me kaq cilësi, është një grup i çmendur”.
Por natyrisht që ka edhe rivalë të tjerë përveç kampionëve të Italisë.
“Edhe grupi i Bajernit të Mynihut është i rëndësishëm dhe të gjithë e dimë këtë. PSG është gjithashtu i pabesueshëm dhe nuk mund të lësh jashtë liste Barcelonën dhe Sitin. Nuk e kam idenë se deri ku mund të shkojmë ne. Për momentin as që duhet ta mendojmë sepse duhet të fokusohemi vetëm tek Atletiko. Ajo që di, është se vitin e shkuar treguam se jemi në gjendje të mundim më të mirët,” theksnoi ndër të tjera trajneri i “Reds”-ave.