Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur pas takimit me të dërguarin e posaçëm, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Thaçi me këtë rast tha se Kosova është e zhgënjyer dhe e tradhtuar nga Bashkimi Evropian për shkak të mosliberalizmit të vizave nga BE-ja, raporton Gazeta Sinjali.
“Kosova është e zhgënjyer nga BE-ja dhe e tradhtuar sepse Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj dhe liberalizimi i vizave nuk është bërë. Ndërsa Bashkimit Evropian është duke i munguar veprimi politik për shkak të mosunitetit të shteteve brenda BE-së”, është shprehur Thaçi.
Andaj, Thaçi thotë se fatin e dialogut Kosovë – Serbi ia beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kosova beson plotësisht në rolin udhëheqës të SHBA-së dhe presidentit Trump, Pompeot dhe rolin determinues të ambasadorit Grenell në dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi.
Sidoqoftë, Thaçi ende shpreson se BE-ja do të jetë në mbështetje të plotë të këtij procesi dinamik në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku në unitet politik dhe qytetarë, unë shpresoj se BE-ja do të jetë në mbështetje të plotë të një procesi dinamik në mes Kosovës dhe Serbisë, theksoj se garanca e sigurtë është nga SHBA dhe BE-së, sepse ne synojmë të jemi pjese e BE-së”, përfundoi Thaçi.
Presidenti i Kosovës foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, për të cilin tha se shteti i Kosovës do t’i kryejë detyrat e saj në bashkëpunimin me partnerët e saj.
“Kosova do të merr veprimet e veta të përgjithshme në ditët në vazhdim. Veprimet që do ta formojnë Kosovën drejt NATO-s dhe BE-së. Kosova do të lëvizë drejt një perspektive të sigurt me hapa strategjik, me partnerët e saj” tha Thaçi para mediave.