Djaloshi Ethan Camille, 7-vjeç nga Alaska i cili së bashku me disa familjarë ishte humbur në stuhi, ka shpjeguar në detaje se si kishin hapur një gropë për të mbijetuar.
Përveç Ethanit edhe tre fëmijë tjerë kishin humbur në zonën rurale të Alaskës, Christopher Johnson, 14-vjeç, Frank Johnson, 8, dhe Tray Camiell, 2, transmeton Telegrafi.
Ata natën e kishin kaluar jashtë në një hapësirë të mbuluar me borë, kurse ekipet e shpëtimit kanë arritur t’i gjejnë të nesërmen. Nga shtrati i dhomës së spitalit ku po shërohet, ka shpjeguar se si kanë mbijetuar në temperaturat e ulëta.
“Në fillim tentuam ta gjejmë rrugën për në shtëpi, por nuk ia arritëm dhe kështu pasi e kishim shumë të ftohtë e hapëm një gropë”, ka thënë ai.
E ëma e tij Irena ka deklaruar se si të gjithë ishin munduar ta mbrojnë Tray pasi që ishte më i vogli. Ata ishin zhdukur më 2 shkurt, kurse ekipet e shpëtimit i kishin gjetur 29 kilometra në jug nga Nunam Ikva. Ata ishin dërguar me urgjencë në spital për tretman. /Telegrafi/