Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron sot në Tiranë, në vizitën e parë jashtë vendit prejse ka marrë detyrën.
Kurti takoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa më pas iu drejtua mediave:
“Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por po ashtu as në paqe, pa Shqipërinë. Andaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21 të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm”.
Kurti dhe Rama paralajmëruan se mbledhja e përbashkët e dy qeverive të tyre do të mbahet në muajin mars në Shkodër.
Në agjendën e Kurtit janë edhe takimi me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, takimi me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe me kryetarin e Partisë opozitare Demokratike, Lulzim Basha.
Kuvendi i Kosovës e ka votuar Kurtin për kryeministër më 3 shkurt.
Qeveria që udhëheq ai, është krijuar pas një marrëveshjeje për koalicion, që Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës./Gazeta Mejdani/