Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas marrjes së detyrës parasheh rishikimin e vendimeve të marra pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në korrikun e vitit të kaluar.
Ky rishikim vlerësohet se është përgjegjësi e kryeministrit Kurit, nga njohës të rrethanave politike në vend, pavarësisht kostos dhe kohës, por ndyshe thonë vartës të ish-kreut të ekzekutivit.
Haki Shatri, këshilltar i Ramush Haradinajt, në kohën sa ishte kryeministër, ka thënë për Ekonomia Online se ideja e Kurtit për rishikimin e vendimeve është fillim për ndryshim dhe spastrim.
Pavarësisht se tha ai se ato vendime janë marrë duke u bazuar në Zyrën për Legjislacion.
“Është përgjegjësia dhe kompetencë e kryeministrit të ri, ka të drejtë të dyshoj mos janë vendime të padrejta. Çdo vendim që është marrë nga korriku e deri në ditën e zgjedhjeve të Qeverisë së re kanë qenë emergjente të bazuara në bazë të Zyrës për Legjislacion. Le të fillojnë më ndryshime që mund marrin një erë spastrimi”, u shpreh Shatri.
Ai ka folur edhe për prioritetin e Qeverisë se re, atë të heqjes së taksës dhe vendosjes se reciprocitetit, për të cilën shprehu dilemë se Kurti nuk e nënkupton reciprocitetin.
Gjithashtu Shatri theksoi se rishikimi i vendimeve do të ketë pasoja materiale.
“Revokimi i Qeverisë mund të ketë pasoja materiale dhe të rrjedhjes së ngjarjes që lidhen me strukturën që iu kanë destinua këto vendime. Nuk mund të jenë shumë sepse vendimet kanë qenë të matura dhe me një numër të kufizuara”, ka thënë Shatri.
Kurse, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se vendimi i Kurtit për rishikim do të shfuqizojë vendimet që kanë shkaktuar pasoja dhe kanë qenë të dëmshme për vendin.
Ai potencoi se ky rishikim është i ligjshëm, por kërkoi nga Albin Kurti që mos të jetë arbitrar.
“Rishikimi i gjitha vendimeve që janë marrë nga qeveria e kaluar në dorëheqje nëse realizohet është e rëndësishme për të bërë një korrektim të gjitha atyre vendimeve që kanë prodhuara pasoja dhe janë të dëmshme për vendin dhe buxhetin e shtetit si dhe mirëqenien e qytetarëve. Procesi i rishikimit është i ligjshëm dhe mund të bëhet, por jo të ketë arbitraritet. Qeveria e kaluar në dorëheqje nuk ka pasur legjitimitet që të marr vendime”.
Musliu theksoi se ky rishikim merr kohë dhe kosto. Derisa deklaroi se vendimet e njëjta si ajo e ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku janë të drejtat, pasi siç tha ai se ato vendime bien në kundërshtim me ligjin.
Mes tjerash, Musliu tha se vendimet e Qeverisë së kaluar në dorëheqje janë bërë për zhvatje të buxhetit.
“Ky rishikim merr kohë dhe ka kosto sepse angazhimi i stafit duhet të jetë i fokusuar në analizimin e këtyre vendimeve në aspektin ligjor. Këto vendime duhet të shfuqizohen në procedurë ligjore. Pamë qe edhe ministri Lumir Abdixhiku njoftoj për marrjen e shfuqizimit të vendimeve që kanë pasur kosto dhe kanë qenë kundërligjshme dhe pa legjitimitet. Paralajmërimet e tij janë të drejta dhe mund të shfuqizohen në procedurë të rregullt ligjore. Vendimet e kësaj natyre mund të shfuqizohen dhe është e drejtë, sepse janë vendime që bien në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka pasur fare legjitimitet. Pa pasur miratim të buxhetit, ajo Qeveri nuk ka mundur të marrë vendime të tilla, por ka pasur një stil kaubojski dhe zhvatjes së buxhetit”, ka thënë ai.
Kurse për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, kjo Qeveri do të jetë ndalim i së keqes dhe përmirësim i situatës në vend.
Gërxhaliu i quajti skandaloze vendimet e Qeverisë së kaluar, andaj tha ai se rishikimi i vendimeve duhet të mbështetet pavarësisht kostos dhe kohës që do të marrë, raporton EO.
“Duhet të themi se është epike të pritet mrekulli në një kohë të shkurtë nga kabineti qeveritar. Suksesi më i madh i kësaj qeverie do të jetë ndalimi i të keqes dhe përmirësimi i situatës aktuale. Ajo që e karakterizon këtë plan për zhvillim në përgjithësi është që prioritet e ka ekonominë”.
“Katër vitet e fundit kanë qenë fatale për Kosovën qoftë në aspektin politik, ekonomik dhe social. Qeveria në largim ka pasur më shumë tentativë për t’i mbuluar epshet e interesave të veta. Vendimet kanë qenë skandaloze që nga dita e parë e deri me tani”.
“Në këtë drejtim duhet të mbështetet procesi i rishikimit të këtyre vendimeve, pasi në ato vendime bazohet dhe ndërtohet e keqja e ardhmërisë së Kosovës. Do ta ketë koston e vet dhe do të merr kohë”.
Ndër të tjera, Gërxhaliu potencoi në të kaluarën më shumë është punuar për pushtet se për shtet.