Pas veprimit të Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila në ditën e parë të punës largoi nga zyra fotografinë e Presidentit të vendit, Hashim Thaçit nga Kuvendi i Kosovës, ka reaguar zyra e Presidentit.
Në reagimin e presidencës thuhet se nuk e dinë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës.
“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për Protokollin e Shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej të ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit. Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës’’, thuhet në përgjigjjen e presidencës dhënë Klan Kosovës.