Driton Selamanaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), derisa ka folur për raportet mes LDK-së dhe VV-së të cilat nuk po arrijnë të merren vesh për koalicion qeverisës, ka thënë se më lehtë janë kuptuar si parti opozitare sesa tani kur janë në përpjekje të bërjes së koalicionit qeverisës.
“E para duhet të them që me të vërtetë kemi bërë një opozitarizëm të shkëlqyer për dy vite me radhë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje. Unë e kam thënë disa herë që jemi marrë vesh shpeshherë edhe vetëm përmes shikimeve, pra nuk kemi pasur nevojë as të takohemi për ti dakorduar veprimet aty për aty kur nevojitej nganjëherë edhe lëshimi i seancave apo ndonjë veprim tjetër”.
“Ishim të bindur që kjo më pas edhe do të materializohej në koalicionin e ardhshëm qeverisës sepse kështu edhe e ndërtuam diskursin apo narracionin tonë publik edhe në zgjedhje që pothuajse i dhamë ekspluzivitet njëra-tjetrës, që ne nuk do të shkojmë me tjetër kënd, por jemi dy subjekte politike opozitare që në fakt jemi prej rasteve të rralla në botë ku dy subjektet politike opozitare dalin e para dhe e dyta pas zgjedhjeve, sepse zakonisht ndodh që njëra prej partive politike opozitare del e para dhe më pas të tjerat i bashkohen, por të dyja të dalin e para dhe e dyta në listë kjo tregon që populli pret shumë ndryshim nga ne”, është shprehur Selmanaj në një intervistë për emisionin Saktë që është prodhim i Kosova Post.
Ai tutje shton se për fat të keq kjo situatë e ka gjetur LDK-në në gjendje shoku por sipas tij ka diçka përtej negociatave që dy partitë në fjalë po i bëjnë vazhdimisht, e që po i pengon në arritjen e një marrëveshje përfundimtare.
“Disa nga arsyet që po na pengojnë në arritjen e marrëveshjes janë disa tema ‘të nxehta’. Një ndër to është edhe dialogu me Serbinë, temë kjo e cila është në një fazë kritike e që në fakt duket se nuk është proces i lehtë. Nga ana tjetër përpos temave, kam përshtypjen që mund të jetë edhe një dozë skepticizmi dhe besimi reciprok. Ne sikur kemi krijuar bindjen se kemi pasur një besim, por si duket ky besim paska qenë fiktiv, jo krejtësisht real ndaj njëri-tjetrit, sepse nëse do të ekzistonte vullneti për të ndryshuar Kosovën, unë mendoj që çështja e posteve as që do të duhej të paraqitej si problem, ose ndarja proporcionale e pushtetit”, ka shtuar tutje Selmanaj.