(Ky tekst mund të shërbejë edhe si letër e hapur drejtuesve politikë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët.)
Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë korrigjim i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, që janë bërë kundër nesh të kaluarën. Padrejtësi në të kaluarën janë bërë edhe kundër kombeve të tjera në Evropë, fjala vjen kundër hungarezëve, por ato padrejtësi kanë mbetur të pakorrigjuara. Prandaj, vlerësimi për suksesin e shqiptarëve të Kosovës në bërjen e shtetit, duhet të trajtohet brenda kontekstit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, proces në të cilin Kosova dhe shqiptarët e saj kanë kontribuar realisht, por jo në mënyrë vendimtare, jo aq sa ajo federatë të shpërbëhej nga fuqia gjëmësjellëse e shqiptarëve. Shpërbërjen e ish Jugosllavisë e ka provokuar në mënyrë vendimtare nacional-socializmi serb, me projektin e krijimit të Serbisë së Madhe, si modifikim i Jugosllavisë së AVNOJ-it, e cila nga doktrina nacional-socialiste serbe u konsiderua si padrejtësi e bërë ndaj serbëve. Veprimet e lëvizjeve nacionale sllovene, kroate, shqiptare, boshnjake, maqedonase e malazeze për pavarësi, kanë qenë reaktive ndaj projektit nacional-socialist serb të Serbisë së Madhe. Në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve, reagimi në vitet e tetëdhjetë ka qenë ndaj masave represive, ndaj diskriminimit, ndërsa në vitet nëntëdhjetë ndaj segregacionit e në fund të tyre edhe ndaj spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Pra, lëvizja dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi kanë qenë reaktive dhe ka qenë mbrojtëse. Ajo e ka ruajtur brenda vetes edhe elementin e mëhershëm irredentist, por vetëm në një pjesë shumë të vogël të saj. Megjithatë, historia e shtetit të Kosovës, këtij shteti që ekziston sot si i tillë, duhet të fillojë nga narracioni mbi shpërbërjen e ish Jugosllavisë, e jo nga ndonjë pretendim megaloman se Kosova u pavarësua falë ndërgjegjes mbi përkatësinë dardane e ilire, e madje as të projektit të nacionalizmit shqiptar të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Narracionet romantike për të kaluarën heroike të Kosovës, si tokë dardane, si bastion i shqiptarizmës, është mirë të mbahen e të kultivohen në sferën e kulturës e të arteve, por jo të mendimit shkencor, politik e shtetëror, sepse në atë rast nuk e shprehin të vërtetën. Në anën tjetër, me aso narracionesh të pavërtetash dhe agresive mund të krijohet perceptimi për shqiptarët si një popull plangprishës e rebel, të cilit nuk mund t’i zihet besë as nga Bashkimi Evropian dhe as NATO-ja, sepse shqiptarët ditkan të jenë jolojalë dhe të pabesë në situatë krizash, siç qenkëshin treguar jolojalë e të pabesë ndaj ish federatës, kur ajo ra në krizë. Prandaj duhet të dominojë narracioni më modest, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për dalje nga okupimi serb kanë qenë të imponuara, ndonëse edhe sitë tilla, ato ishin të pamjaftueshme për ta arritur suksesin, po të mos e fillonte nacional-socializmi serb procesin e pakthyeshëm të formimit të Serbisë së Madhe, si zëvendësim për ish federatën jugosllave. Modifikimi i projekteve të shqiptarëve në periudha të ndryshme është dëshmi se atyre u janë imponuar reagimet: nga lëvizja irredentiste (bashkimi me Shqipërinë), në vitet 1960-1980 u kalua në një lëvizje integriste (kërkesa për një republikë në kuadër të ish Jugosllavisë.) Por, pasi eskaloi kriza në vitet e nëntëdhjeta, filloi artikulimi i kërkesës për pavarësi, ndonëse edhe deklarata e 2 korrikut 1990 dhe referendumi i shtatorit 1991 ende e parashihnin Kosovën si republikë në federatën/konfederatën jugosllave. Kushtetuta e Kaçanikut e promovoi projektin për Kosovën si shtet i pavarur, por vetëm në letër, ngase Kosova në atë kohë ishte tërësisht e okupuar. Zgjedhjet që u mbajtën (më 1992 e 1998) proklamoheshin si zgjedhje të një shteti të pavarur, por i cili ishte nën okupim total. Pra, as ato përpjekje e as ato modifikime nuk sollën pavarësimin, sado që e mbajtën të gjallë mobilizimin e popullit në atë kauzë. Raporti i Badenterit, që konstatoi shpërbërjen e ish federatës jugosllave, ndonëse Kosovën e injoroi, de facto e hapi rrugën që edhe Kosova ta ndiqte rrugën legale të pavarësimit, meqë ishte “element konstituiv i federatës”, gjë që më vonë e mori parasysh edhe Gjykata e Drejtësisë, në vlerësimin e pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare. Pra, shpërbërja e ish federatës jugosllave ka krijuar bazën legale në pavarësimit të Kosovës, sepse Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte bërë element konstituiv i atij federalizmi.
Lufta çlirimtare është dëshmi e avancimit të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, si reagim ndaj segregacionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Ndonëse me elemente pothuajse mitike të sakrificave, ajo luftë çlirimtare, me kapacitetet e saj, nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Krahas brutalitetit të Serbisë ndaj saj, edhe oscilimet ideologjike dhe qëndrimet radikale kundër lëvizjes paqësore i kanë rrezikuar seriozisht mundësitë, edhe ashtu të pakta të saj. Marrëveshja e Hollbrukut e tetorit 1998, e cila mundësoi ardhjen e vëzhguesve, ka qenë e rëndësisë strategjike për mbijetesën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si organizatë legale, unike dhe kooperuese me faktorët ndërkombëtarë. Intervenimi i NATO-s (24mars-10 qershor 1999) kundër caqeve ushtarake në ish Jugosllavinë e Zhablakut, që përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (11 qershor 1999), e mundësoi çlirimin e Kosovës, me çka u hap udha edhe për pavarësimin e saj më 17 shkurt të vitit 2008. Pra, pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe si rezultat i intervenimit të NATO-s dhe i një akordi të gjerë ndërkombëtar, të mishëruar në Planin e emisarit të OKB-së, Marti Ahtisarit, e jo si ndonjë aksion i njëanshëm.
Armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa të mbyllet as në të ardhmen, në kuadrin ku po kërkohet mbyllja e armiqësive, në procesin e tashëm të Brukselit. E vetmja mundësi për ta arritur një mbyllje të tyre është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE, paralelisht me arritjen e marrëveshjes. Por, pakoja e tillë duhet të përjashtojë çfarëdo mundësie të rishikimit/korrigjimit të kufijve. Ajo mund të akomodojë serbët në veriun e Kosovës, me një zgjidhje me elemente të “rregullimit të rajoneve” e asgjë më shumë. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshme me Serbinë. Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në statu quo: e para, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet ta kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg dhe, e dyta, Kosova tashmë i ka në prapavijën e vet tre shtete të reja anëtare të NATO-s, të banuara me shqiptarë, të cilat do të destabilizoheshin nga konflikti eventual Kosovë-Serbi. Prandaj NATO-ja nuk do ta lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo rrethanë i jep Kosovës hapësirë më të gjerë manovruese edhe për marrëveshjen finale, sepse Kosova është në anën e NATO-s, ndërsa Serbia nën influencën direkte të Rusisë.
Kosova duhet ta fillojë urgjentisht një proces të gjerë e shumëplanësh evropianizimi, që do të përthekonte legjislacionin, qeverisjen, drejtësinë, mediet dhe shoqërinë mbarë. Përfarimi i ligjeve dhe rekomandimeve me ato të Bashkimit Evropian, reforma zgjedhore, çrrënjosja e korrupsionit, shteti i së drejtës, afirmimi i pakicave, mediet e lira dhe shoqëria e lirë, janë përgjegjësi e shoqërisë dhe e institucioneve të Kosovës. Ata që kujtojnë se duhet të pritet pranimi në BE, që të fillojnë reformat, në fakt janë kundër integrimit dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në BE. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për këtë fakt dhe të mos i votojnë politikanët e dhunshëm, të korruptuar, të padijshëm dhe esencialisht antievropianë .Në instancë të fundit, qytetarët e kanë në dorë evropianizimin e vendit.
Realiteti brendashqiptar është mjaft kompleks: një komb, dy shtete dhe pjesëtarë të kombit edhe në disa shtete të tjera në rajon. Këto dy shtete dhe fragmentet në shtetet e tjera, duhet të harmonizohen e të mos lihen të veprojnë spontanisht, sepse në atë rast mund të vijnë në situata që t’i shkaktojnë dëme njëra-tjetrës ose edhe të konfliktualitetit të ndërsjellë. Nuk duhet të hapen tema lidhur me “pronësinë” mbi kujtimet e përbashkëta, mbi gjuhën ose mbi meritat në historinë kombëtare. Kuadri i veprimit dhe diskutimeve të tashme e të ardhshme për të ardhmen e shqiptarëve si komb duhet të vendoset brenda ombrellës atlantike dhe asaj të Bashkimit Evropian, e jo të nacional-romantizmit të shkuar, e aq më pak të ideologjive të falimentuara majtiste.
Kombi shqiptar është nga të paktat kombe evropiane, që e kanë arritur sintezën e bashkëjetesës harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare brenda të njëjtit komb. Kjo harmoni duhet të kultivohet edhe më shumë në të ardhmen dhe, mundësisht, të shndërrohet në model edhe për kombet e tjera evropiane, me çka imazhi i shqiptarëve, i dëmtuar rëndë nga çmoralizimi komunist, do të mund të përmirësohej. Respektimi i të drejtave dhe lirive fetare duhet të jetë i plotë, në frymën e amendamentit të parë të Kushtetutës Amerikane, që nuk i lejon as Kongresit të miratojë ligje që e kufizojnë atë liri.
Kultivimi pasionant i gjuhës shqipe në administratë, në medie, në arsimin publik e kudo në komunikim, duhet të jetë orientim strategjik kombëtar. Ky orientim mund të jetë më rezultativ nëse financohet më shumë kultivimi i letërsisë shqipe dhe nëse financohet përkthimi masiv i literaturës universitare e artistike nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe. Rritja e cilësisë së arsimit, me theks te arsimi universitar, është vendimtar për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për ndryshimin e natyrshëm të elitave.
Dekonstruktimi i narracioneve nacional-romantike, që e promovojnë izolimin, rebelizmin, cubninë e shqiptarëve, duhet të jetë pjesë e debateve të gjera akademike, intelektuale dhe artistike. Realisht, historia kryesore e neve shqiptarëve është zhvilluar brenda perandorive të mëdha, romake, bizantine, bullgare, osmane, ku nga shumë shqiptarë edhe janë shënuar kontribute të konsiderueshme për ato histori e qytetërime. Ato kontribute duhet të rivlerësohen dhe të kontekstualizohen, duke u shndërruar në elementë forcues të identitetit shqiptar dhe në motivues bashkëpunimi e tolerance, në realitetet postmoderniste të tashme dhe të ardhshme, në rajonin dhe në kontinentin tonë.
Discussion about this post