Pozita e presidentit, e cila do të lirohet pas një viti është bërë ndër tjera ‘mollë sherri’ për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Person unifikues dhe jo politik, është kërkesa e partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, si dhe të njohësve të rrethanave politike.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti i tha KP, se në përpjekjet për koalicion qeverisës me Vetëvendosjen për të balancuar pushtet, atyre iu takon pozita e të parit të shtetit. Për këtë pozitë u shpreh se i kanë njerëzit më të respektuar të shoqërisë.
“Ne kemi 30 vite që jemi themeluar dhe në shumicën e kohës kemi qenë në qeverisje. Nëse i shihni kuadrot që i ka propozuar LDK për pozitat më të larta shtetërore, për kryeministër, për kryetar të Kuvendit dhe president janë njerëzit më të respektuar të shoqërisë…duke pasur parasysh këto ne do t’i ruajmë standardet në çdo rrethanë”, thotë Hoti.