Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës ndodhi pa lojëra dhe vonesa, e madje në kohë rekorde.
Duke i uruar të zgjedhurit e Kryesisë së re të Kuvendit, LVV thekson se betimi i deputetëve të këtij subjekti u bë para ligjit e popullit të Kosovës, dhe para flamurit kombëtar i cili gjithnjë iu prin kah e mbara.
Përmes kësaj komunikate LVV nuk ka folur edhe për çështjen e mos arritjes së marrëveshjes me LDK-në.
LVV ka theksuar se LDK po kërkon më shumë se ç’u takon.
“Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona, erdhëm në këtë seancë pa koalicion. Ne kemi kërkuar marrëveshje të drejtë e shpërndarje proporcionale të përgjegjësive, por pala tjetër po këmbëngul që ose të marrin më shumë se ç’u takon, ose asgjë. Të dyja këto mundësi janë zhgënjyese. Shumë më lehtë e shpejt janë lidhur në të shkuarën marrëveshje që i kanë sjellë dëm Kosovës, por e paskan shumë të vështirë të lidhin marrëveshje me subjektin e vetëm të pakorruptuar, që ka vullnet e plan të luftojë varfërinë e korrupsionin”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për “Rubikon” ka deklaruar se ka qenë befasi dhe askush nga partia e tij nuk e ka ditur e as nuk ka pritur që Vetëvendosje do të propozoj kryeparlamentarin, dhe se të gjitha marrëveshjet me LVV-në kanë rënë në ujë.
Discussion about this post