Presidenti Recep Tayyip Erdogan edhe njëherë vuri theksin në nevojën për ndryshimin e strukturës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB).
Presidenti Erdogan mbajti një fjalim në Samitin e Kuala-Lumpurit të organizuar nën patronazhin e Malajzisë.
Në samit ku morën pjesë edhe Presidenti i Iranit Hasan Ruhani dhe Emiri i Katarit Tamim Bin Hamad Al-Thani, Erdogan iu drejtua 650 përfaqësuesve nga më shumë se 50 vende.
Duke vënë në dukje se është e nevojshme të ndryshohet struktura e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Erdogan tha se “Ky sistem, i cili u themelua nga vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur interesat e tyre dhe që fatin e 1,7 miliardë njerëzve e lë në duart e 5 vendeve, ka skaduar”.
Kreu i shtetit turk theksoi gjithashtu që jo vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të përditësohet, por njëkohësisht edhe Organizata e Bashkëpunimit Islam, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Mungesa më e madhe e platformave që bashkojnë botën islamike është zbatimi. Kjo është arsyeja që ne nuk mund të avancojmë në Palestinë, që nuk mund të ndalojmë copëtimin e trojeve tona përmes sektarizmit. Përndryshe bota islame nuk është e dobët dhe e pafuqishme”.
Gjatë kritikave drejtuar botës islame Presidenti Erdogan tha: “Nëse shumica e myslimanëve janë akoma duke luftuar me injorancën dhe varfërinë, pavarësisht burimeve natyrore, të naftës dhe popullsisë, atëherë duhet të kërkojmë gabimin në veten tonë”.
Ai bëri të ditur se 350 milionë myslimanë luftojnë për të mbijetuar nën kufirin e urisë, pavarësisht faktit që gjeografia islame ka burime të mëdha të energjisë, ndërsa tha që “Dallimi në të ardhura midis vendit më të pasur dhe më të varfër islam është më shumë se 200 herë. Ndërkohë që shkalla e shkrim-leximit është 82,5 për qind në të gjithë botën, ajo është rreth 70 për qind në botën islame”.
Erdogan theksoi se konfliktet që po jetohen në rajon duhet të marrin fund dhe tha se “94 për qind të të vdekurve në konfliktet në të gjithë botën janë myslimanë. Aktualisht një nga tre armët e shitura në botë po shkon në Lindjen e Mesme. Me fjalë tjera, ndërkohë që myslimanët po qëllojnë me plumba njëri-tjetrin, tregtarët perëndimorë të armëve po pasurohen”./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post