Nuk është gjithmonë inteligjenca ajo që i bën miliarderët të suksesshëm. Të paktën kështu sugjeron një studim i ri nga banka zvicerane e investimeve UBS.
Sipas përfundimeve thuhet se është ‘oreksi’ i miliarderëve për të marrë përsipër rrezikun dhe vendosmëria për të ecur gjithmonë përpara, ajo që i ndihmon ata të ndërtojnë dhe të mbajnë pasurinë e tyre. Këto tipare të personalitetit krijojnë atë që UBS, e cilëson si ‘efekti i miliarderit’.
Sipas bankës, kompanitë e drejtuara nga miliarderë me të tilla karakteristika, patën kthime 17.8 për qind më të larta nga 2003 deri në 2018 dhe ishin gjithashtu më fitimprurëse, në vazhdimësi të gjithë veprimtarisë së tyre, krahësuar me sipërmarrjet, liderat e së cilave nuk i gëzonin këto cilësi.
Raporti theksoi se liderat e tillë dinë si të ndërmarrin rreziqe të zgjuara dhe janë të përqendruar në mënyrë obsesive në bizneset e tyre, gjë që u lejon atyre të shohin mundësi edhe atje ku dikush tjetër mendon se nuk ekzistojnë.
Një mori studimesh dhe librash kanë konkluduar në mënyrë të ngjashme se miliarderët mendojnë ndryshe nga shumica e popullsisë. Një përmbledhje e testeve të personalitetit të 43 personave që kishin pasuri me vlera neto mbi 11 milionë dollarë, ndërmarrë nga studiuesi gjerman Rainer Zitelmann zbuloi se ndërmarrësit shumë të pasur priren të kenë tolerancë shumë të lartë ndaj dështimit dhe priren të jenë më të orientuar në detaje sesa pjesa tjetër e popullsisë.
“Për ta përmbledhur, mund të thuhet se të pasurit janë më të hapur ndaj përvojave të reja se sa popullsia në tërësi”, tha Zitelmann.
Ndërmarrësi Rafael Badziag, ndërkohë shpenzoi pesë vjet duke zhvilluar intervista me 21 miliarderë që kanë nisur nga hiçi dhe zbuloi se të njëjtat karakteristika që i bëjnë të suksesshëm, gjithashtu mund të çojnë në rrëzimin e tyre.
“Miliarderët janë jokonformistë të cilët demonstrojnë individualizëm në moshë të re, kur shkelin më shumë se disa rregulla. Të bësh dallimin se kur risku me shumë mundësi do të të fundosë dhe kur ai vlen të ndërmerret, se mund të të katapultojë lart, është pika e kthesës ndërmjet falimentit dhe krijimit të miliardave”, shkroi Badziag në librin e tij.
Discussion about this post