Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca foli sot për ndihmën që Bashkimi Europian ka dhënë pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe për konferencën e donatorëve që pritet të mbahet në fund të muajit janar.
Soreca u shpreh në a2 se 15 milionë euro janë hapi i parë që BE ka ofruar për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit.
Ai vlerësoi edhe punën e bërë nga qeveria, ndërsa vuri në dukje edhe mangësitë.
Si nisi mëngjesi i 26 nëntorit për ju?
Luigi Soreca: Atë mëngjes besoj se të gjithë e filluam me tërmetin. Nga aspekti profesional, mëngjesi filloi rreth një orë më pas, kur pata komunikimin e parë me Kryeministrin për të diskutuar rreth situatës. Ne vijuam punën dhe gjysmë ore më pas, ne ofruam asistencën tonë. Pas asaj telefonate, më është thënë se Shqipëria ishte e gatshme që ne të sillnim këtë ekip.
Ishte një telefonatë nga kryeministri për ju?
Luigi Soreca: Së pari, i dërgova një mesazh për të kuptuar situatën. Për pak orë, ne patëm atë qendrën tonë të përgjigjeve ndaj emergjencave, të cilët kishin biseduar me të gjithë kryeqytetet e BE. Ky është një sistem tejet efikas, ku menjëherë kryeqytetet tregojnë gatishmërinë e tyre.
A mund të na thoni si ndodhi kjo, pasi ndihma e vendeve të BE ishte e menjëhershme? Si u realizua teknikisht kjo ndihmë?
Luigi Soreca: Kjo qendër punon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Kështu që ata kanë mundësinë të kontaktojnë të gjitha shtetet anëtare gjatë gjithë kohës. Kështu që kur vjen një kërkesë nga një shtet anëtar apo një shtet kandidat si Shqipëria, është njësoj për ne. Fillon puna në mënyrë të menjëhershme. Është një listë njerëzish që mund të japin përvojën e tyre. Reagimi nga shumë njerëz ka qenë i menjëhershëm.
Në terma konkret, çfarë bënë këta njerëz që erdhën nga Bashkimi Europian, çfarë ekspertize ofruan?
Luigi Soreca: Në këto lloj fatkeqësish natyre ka tre faza, ajo e kërkim-shpëtimin, vlerësimi i dëmeve dhe faza e pas fatkeqësisë natyrore. Pra, për ne ishte e rëndësishme që ekipet e kërkim-shpëtimit të arrinin në vendndodhje të ndryshme në mënyrë që qytetarët të kishin ndihmën dhe të ishin edhe punonjësit e emergjencave shqiptare. Ne kemi pasur ekspertë nga shumë vende të BE. Ne kemi edhe një qendër koordinimi për të shmangur dyzimet. Kjo fazë zgjat 48 apo 72 orë, në mënyrë që ne të ndihmojmë ekipet shqiptare. Ndihma u dha dhe me ato jetë që u shpëtuan. Më pas, vjen faza e vlerësimeve.
Për sa kohë do të asistojnë ekspertët e BE në Shqipëri?
Luigi Soreca: Ata kanë arritur dy ditë më pas dhe çdo ditë në qytetin e Durrësit bëhet mbledhja e mëngjesit, ku koordinohet puna. Të gjithë specialistët takohen dhe ju jepen grafikat, ku ndahen nga Tirana deri në Lezhë. Tashmë po punohet për vlerësimet. Deri tani janë kontrolluar 14 mije ndërtesa. Kjo është shumë e rëndësishme si shifër. Mijëra në Durrës, 6 mijë në Tiranë dhe pjesa tjetër në Lezhë. Ata do të qëndrojnë rreth 1 javë tjetër. Kjo pjesë e kohës do të përqendrohet te trajnimet e ekipeve shqiptare dhe kjo është e rëndësishme.
Kishim dëgjuar që kanë ardhur ekspertë nga shumë vende, por pak kishim dëgjuar që ka një koordinim të BE-së pas kësaj…
Luigi Soreca: E kam parë këtë takim bashkërendimi që bëhet çdo ditë në Durrës. Në mënyrë që të përgatitet puna që do të bëhet. Shqipëria dhe BE kanë ecur bashkë në mënyrë për të shpëtuar jetë.
Le të flasim pak për anën financiare, pasi ka nevojë edhe për para dhe kjo është një tjetër pjesë që BE është angazhuar…
Luigi Soreca: Folëm për dy fazat e para dhe që prej të shtunës është faza e vlerësimit të dëmeve pas fatkeqësisë natyrore. BE, Banka Botërore dhe OKB-ja për të realizuar këtë proces, i cili zgjat nga 6 deri në 8 javë për të vlerësuar dëmet në të gjitha këto ndërtesa. Këtu shikohet e gjithë pjesa e infrastrukturës, patjetër edhe banesat. Kjo është pjesë e mekanizimit të BE-së. Në rast se do të ndodhte një tjetër tërmet edhe popullsia të jetë e trajnuar që të dijë se çfarë të bëjë. Ne kemi 15 ekspertë nga BE që do të vijojnë punën në javët në vijim, për të parë ku do të shkojnë paratë që janë premtuar.
Prandaj do të bëhet edhe konferenca e donatorëve. Ne jemi të nderuar që do të organizojmë këtë konferencë. Kjo konferencë do të ndodhë në Shqipëri, duke marrë në konsideratë që do të jenë 300-400 përfaqësues të nivelit të lartë të organizatave ndërkombëtare, të institucioneve ndërkombëtare financiare, të shteteve të ndryshme. Ne besojmë që do të organizohet nga fundi i janarit, pasi ne besojmë që ky proces i vlerësimit të dëmeve pas kësaj fatkeqësie të jetë kryer në mënyrë që të jemi të sigurt për shifrat. Presidentja e Komisionit do të marrë pjesë në këtë konferencë. Angazhimi është për 15 milionë euro që janë për Shqipërinë dhe kjo është pjesë e angazhimit tonë. Ky është hapi i parë fare për ndihmën për Shqipërinë.
Cili është objektivi që pritet të realizohet në konferencën e donatorëve?
Luigi Soreca: Mendoj se në varësi të raportit që do të përpilohet. Sa më i mirë që të jetë ky raport aq më shumë do të kenë mundësi donatorët të shohin se nga cilët zëra do të mund të sjellin para.
Doja që t’iu kërkoja një mesazh për popullin shqiptar pas tërmetit…
Luigi Soreca: Së pari, do të jap atë mesazhin institucional. Unë kam qenë në terren për orë të tëra dhe kam pasur mundësinë të ndihmoja dhe të shihja lidhjen që ekziston nëpërmjet qytetarëve shqiptarë dhe popujve të ndryshëm të BE. Ne kemi parë këtë dhimbje dhe se si shtetet anëtare kanë qenë të pranishëm që nga momenti i parë. Edhe unë kam qenë në fshatra dhe zona të ndryshme për të treguar praninë e BE-së. Ne mbështetjen duam ta tregojmë edhe me vepra përveçse me fjalë dhe këtë do ta tregojmë gjatë konferencës së donatorëve.
Telefonata e parë e atij mëngjesi ishte me kryeministrin Rama, a mund të na thoni si e ka menaxhuar qeveria shqiptare këtë situatë?
Luigi Soreca: Qeveria e Shqipërisë ka reaguar ndaj tërmetit në mënyrë të menjëhershme. Është krijuar mekanizmi me ministrin Çuçi, me kolegë të tjerë të qeverisë dhe natyrisht që mund të ketë dobësi si në çdo proces. Ashtu siç e thash edhe më parë, edhe në këtë proces është pjesa e vlerësimit pas situatës që do të shikojmë. Në fakt, Shqipëria do të duhet të ketë edhe një mekanizëm pikërisht për Mbrojtjen Civile, një mekanizëm të fortë për të reaguar në lidhje me këto situata. Kjo konferencë donatorësh do të ndihmojë edhe për këtë gjë.
Discussion about this post