Departamenti Special Anti-korrupsion i cili është në kuadër të Policisë së Kosovës (Task forca kundër korrupsionit) gjatë këtij viti ka zhvilluar hetime intensive për kapjen e “Peshqve të mëdhenj”.
Sipas informacioneve të Indeksonline disa raste janë duke vazhduar ende por disa të tjera tashmë ka kohë që janë përmbyllur dhe janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Burime të besueshme të Indeksonline bëjnë të ditur se rastet e dorëzuara në prokurori janë bllokuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe ato po qëndrojnë në sirtarët e prokurorisë duke mos dhënë dritën e gjelbër për të vazhduar më tutje edhe përkundër fakteve dhe provave që kanë mbledhur hetuesit policor.
Indeksonline mëson se hetuesit e Departamentit Special Antikorrupsion kanë hetuar ministra, sekretarë permanent si dhe shumë zyrtarë të lartë shtetërorë.
Janë dy raste të mëdha që tashmë kanë përfunduar hetimet, një rast në një ministri të Qeverisë së Kosovës ku në shënjestër është vetë ministri i kësaj ministrie, ndërsa rasti tjetër është në Organin Shqyrtues të Prokurimit ku cak i hetimeve në këtë të fundit është kryetari i OShP-së, Blerim Dina, i cili është i përfshirë nëpër shumë tenderë nëpër ministri të ndryshme në qeverinë e Kosovës.
Vlera e këtyre keqpërdorimeve në OShP kap shifrën milionëshe gjë për të cilën hetuesit policorë kanë gjetur shumë prova dhe manipulime me tenderë që janë bërë nga ana e OShP-së.
Të gjitha këto raste po qëndrojnë në sirtarët e Prokurorisë Speciale duke u bllokuar për të mos vazhduar më tutje.
Madje në rastin e ministrit duke qenë se provat janë të pakontestueshme hetuesit policor janë duke pritur vetëm urdhrin e prokurorisë për arrestimin e tij, por kjo gjë sipas burimeve të Indeksonline është e bllokuar me urdhër “nga lart”.
Indeksonline në ditët në vijim do të publikojë fakte për rastet konkrete për të cilat Departamenti Special Antikorrupsion ka zhvilluar hetime dhe ka bërë një punë të madhe, por ato tashmë janë bllokuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për të vazhduar më tutje./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post