Gjykata Kushtetuese e ka miratuar përkohësisht kërkesën e Avokatit të Popullit për pezullim të Ligjit për Paga.
Pas mbledhjes së sotme Kushtetuesja ka marrë vendim që kjo masë do të zgjasë deri më 30 mars të vitit 2020.
Ndërkohë, pezullimi i këtij ligji mund të sjell kolaps në vend, të paktën kështu kanë paralajmëruar disa prej sindikatave.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Kulturës, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) së bashku me Sindikatën e Shëndetësisë dhe atë të Policisë së Kosovës kanë paralajmëruar se nesër do të mbajnë një grevë dy orëshe.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, në një prononcim për lajmi.net, mëngjesin e sotëm ka paralajmëruar se në rast së ky ligj pezullohet nga Kushtetuesja, ata do të hyjnë në grevë të përgjithshme nga janari.
Në një prononcim për lajmi.net, Jasharaj ka thënë se vendim për grevë dy orëshe, i cili do të zbatohet të premten është paralajmërimi i fundit për institucionet.
“Vendimi momental i Këshillit Drejtues të SBASHK dhe kryetarëve është vetëm për të premten. Këto veprime po i bëjmë në koordinim edhe me Sindikatën e Shëndetësisë, por edhe me Federatën e Sindikatës së Policisë. Kjo është greve paralajmëruese që institucionet mos të na dërgojnë tutje me greva sepse nuk dëshirojmë përsëritje, si ajo greva e janarit tri javore të cilën e din të gjithë, por i tërë ky angazhim i yni është në mbrojtje të ligjit për të cilin jemi angazhuar më muaj të tërë. Dhe po them edhe një herë punëtorët e arsimit, po flas tani vetëm për ta, do të jenë tepër të zhgënjyer nëse ndodh diçka. Po them urojë që të behët diçka një zgjidhje e pranueshme, përndryshe unë dhe Z.Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë, Z.Tasholli nga ajo e Policisë, e të tjerë jemi të obliguar që të veprojmë sipas kërkesave të anëtarëve tonë dhe ne do të qëndrojmë në ballë të veprimeve që i kërkon anëtarësia”, ka thënë Jasharaj.
Kujtojmë se Avokati i Popullit javën e kaluar e kishte dërguar në Kushtetuese Ligjin për Pagat pas mbi 35 ankesave që kishte marrë për këtë ligj.
Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës, Sindikata e punëtorëve në Shërbimin Korrektues, kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT) e të tjera, ishin shprehur kundër hyrjes në fuqi të këtij ligji, për shkak të uljes së koeficientit, rrjedhimisht ulje të pagave.
Ndryshe, Ligji i Pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, kurse në zyrën e Presidentit kishte arritur më 12 shkurt.
Discussion about this post