Profesori universitar, Berim Ramosaj, dikur ish deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se shtyrja e arritjes së marrëveshjes në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes po ndodh për shkak të ambicieve të tyre për të marrë me çdo kusht pushtet.
“Ata në një mënyrë i ka orientuar drejt një marrëveshjeje ambicia për pushtet dhe jo programi në esencë”, ka thënë Ramosaj.
“LDK ka një program relativisht të djathtë, edhe zgjidhjet e problemeve i sheh me sa më pak ndërhyrje shtetërore, kurse programi i VV është program ku shihet ndërhyrja e shtetit”.
“Ambicia për të dalë para opinionit se ‘kemi arritur një program të përbashkët’, ma merr mendja se lë mundësi për të spekuluar për një program shumë hibrid, jo një strukturë organike, por mekanike”.
“Programet e tilla mund të realizohen me një punë jo katër vjeçare, por mendoj se LDK edhe LVV në një formë kanë treguar se janë shumë adaptive. Partitë serioze kur marrin qëndrime programore dhe i vendosin si postulate, janë kokëforta në realizimin e tyre. Kjo qeveri sado që në orientime programore dhe në fushatë janë munduar ta plasojnë luftën kundër korrupsionit, çkapjen etj, unë mendoj se kjo qeveri do të duhej të ishte për zgjidhjen e problemit me Serbinë dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Kjo qeveri është dashur të jetë Qeveri i dialogut”.
Ramosaj në Zona B, ka bërë një krahasim mes dy subjekteve të para të dala në zgjedhjet e 6 tetorit.
“LDK në aspektin e përvojës në zhvillime dhe marrjen e vendimeve e mëdha është e shquar si parti instituconaliste por jo me shkallë të lartë të guximit politik, kurse VV janë të papërvojë. Kemi shembuj nga praktika evropiane dhe botërore, se partitë populusite dhe radikale janë përpunuar më së lehti”.
“LDK, ka mungesë të guximit politik që u vërejt në Qeverinë Mustafa, sa i përket aspektit të shtetndërtimit janë të gatshëm për kompromise”.
Ai ka theksuar se Isa Mustafa nuk është dashur që të jetë kryenegociator nga ana e LDK-së në marrëveshjen për krijimin e Qeverisë për shkak se sipas tij ai nuk ka garuar në zgjedhje.
Discussion about this post