Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media kanë deklaruar se do të vazhdojnë diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa, shprehen të bindur për të respektuar vullnetin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit. Kjo deklaratë vjen një ditë pas mospajtimeve në mes të dy partive.
Nga partia e Isa Mustafës kanë deklaruar se shprehin gatishmëri për marrëveshje bashkqeverisëse, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Gazeta Ekspress shkruan se nga LDK-ja bëjnë të ditur se diskutimet do të vazhdojnë shumë shpejtë, e se nuk do të ju nënshtrohen presioneve publike.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, bëhet e ditur./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post