Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se çështjen e 392 pakove me fletëvotime nga diaspora që kanë arritur në adresë të KQZ-së, më 12 nëntor, e ka dërguar në Gjykatën Supreme. Ata po kërkojnë nga Supremja që të urdhërojë numërimin e këtyre fletëvotimeve.
Përmes një postimi në Facebook, në këtë parti deklarojnë se çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar.
“Presim, që Gjykata Supreme të rikonfirmojë edhe njëherë këtë të drejtë dhe të urdhërojë numërimin e tyre pa humbur kohë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, fajin për vonesa në certifikimin e rezultateve po ia lënë PZAP-it.
“Shumë shpesh disa palë të përfshira në proces kanë pretenduar se ankesat po e vonojnë certifikimin. Ju kujtojmë se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë stërzgjatje të kalendarit të aktiviteteve të KQZ-së është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ka një numër të konsiderueshëm të vendimeve arbitrare të këtij institucioni, të rinumërimeve, ndërhyrjes në rezultat”, thuhet në postim.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dje ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të numëruar 392 pakot me fletëvotime të ardhura me postë nga diaspora, e të cilat kanë arritur në KQZ, më 12 nëntor.
“Ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje: Anr.507/2019 e datës 22.11.2019 hedhet e palejueshme. Ndërsa ankesat lidhur me administrimin dhe rinumërimin e Vendvotimeve në Qendrën Numërimit dhe Rezultateve – QNR janë vendosur si në vijim: 5 ankesa janë pranuar të bazuara, 1 ankese është pranuar pjesërisht e bazuar, 6 ankesa janë refuzuar të pabazuara dhe 1 ankese është hedhur e pasafatshme”, ka njoftuar PZAP-i. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post