Falë përmasave të pabesueshme të blloqeve shkëmbore, saktësisë me të cilën janë vendosur, zgjidhjeve të pabesueshme inxhinierike dhe lartësisë së strukturave, piramidat prej shekujsh kanë lënë pa fjalë ekspertë, studiues e shkencëtarë.
Aq madhështore janë këto vepra të dorës së njeriut, sa mes dhjetëra teorive mbi realizimin e tyre ndeshen edhe ato sipas të cilave janë ndërtuar nga qenie të ardhura prej shumë larg planetit tonë.
Ndër piramidat, më e madhja dhe më mbresëlënësja është ajo e Keopsit, e ndërtuar 4 mijë e 5 qind vite më parë, që mat 250 metra gjerësi dhe 136 lartësi.
Më shumë se të tjerat, mbase për shkak të përmasave, ka fshehur brenda saj enigmën për metodat që janë përdorur për ta ndërtuar.
Teoria më e pranueshme e shihte ndërtimin e saj të realizuar përmes një skele të jashtme, e cila zgjatej në formë spiraleje, duke u ngjitur lart përgjatë gjithë gjatësisë së mureve.
Spiralja ngushtohej me rritjen e lartësisë së piramidës, deri sa mbërrinte në kulmin e saj.
Fakti është që egjiptianët nuk kanë lënë asnjë lloj dokumentacioni mbi sistemet e ndërtimit që përdorën për ta realizuar këtë kryevepër.
Sipas arkitektit francez, Jean Pierre Houdin, i cili sapo e ka bërë publike teorinë e tij në Paris, egjiptianët kishin arritur ta realizonin këtë vepër madhështore duke “përdorur një skelë të brendshme në formë spiraleje, deri në kulmin e strukturës” së piramidës.
Jean Pierre Houdin u mbështet për të ngritur këtë teori mbi një seri studimesh të hollësishme të kryera nga kolegu i tij, Gilles Dormion, të cilat u krahasuan me të gjitha parametrat e epokës: vegla prej bakri e guri (egjiptianët nuk e njihnin hekurin), materiale të përdorura (blloqe graniti të mbërritura nga Asiani, që ndodhet 900 kilometra larg dhe blloqe gëlqerorë, e harta të ndryshme).
Pasi arriti të bindte industrinë “Dassault Systemes”, i cili ofroi asistencën teknike, arkitekti francez, pas tetë vitesh studime të detajuara, paraqiti teorinë e tij të ilustruar, falë sistemeve tredimensionale industriale.
Në film, i cili prej dy ditësh mund të shihet nga kushdo në internet, tentohet të vërtetohet se ndërtimi i piramidës së Keopsit zgjati jo më shumë se 20 vjet, pra gjatë periudhës në të cilën ky faraon mbretëroi (2538-2516).
Duke shfrytëzuar në favorin e tyre pjerrtësinë e zonës ku u ndërtua piramida, egjiptianët (të cilët sipas Houdin janë edhe inxhinierët e parë në historinë e njerëzimit) fillimisht ndërtuan një skelë të parë nga jashtë, e cila u përdor për ta çuar piramidën deri në lartësinë 43 metra.
Më pas u vazhdua me një tjetër skelë, e cila ngrihej përgjatë mureve deri në kulmin e saj. Skela ishte e hapur te këndet, në mënyrë që të mundësohej rrotullimi i masave shkëmbore, që transportoheshin deri lart.
Këto blloqe gjigante fillimisht transportoheshin me mjete lundruese në ujërat e Nilit, më pas përdoreshin rula të drunjtë, të tërhequr nga njerëz.
Skela, e cila rrotullohej përreth strukturës në kahun e kundërt të lëvizjes së akrepave të orës, ngrihej me një kënd 7 deri 8 për qind, gjë që u jepte mundësinë njerëzve të transportonin përmes saj masat shkëmbore.
Në këtë çast skela e jashtme doli jashtë funksionit dhe u çmontua.
Paralelisht ecnin punimet për ndërtimin e galerisë së madhe, e dukshme edhe në ditët e sotme, e cila do të përdorej më pas për të ndërtuar dhomën mortore të faraonit mbi bazën e piramidës.
Në këmbë mbahej nga pesë struktura graniti, të cilat u ngritën përmes një sistemi kundërpeshash.
Të dhënat e Jean Pierre Houdin u hodhën në një kompjuter dhe “Dassault Systemes” krijoi një model virtual për të vërtetuar teorinë e arkitektit përmes sistemeve kompjuterike tredimensionale.
Për këtë u nevojit rimodelimi i gjithë piramidës dhe integrimi i shumë parametrave: përmasat apo pesha e gurëve, forca ngritëse e tërheqëse etj.
Skuadra e vënë në dispozicion nga kompania “Dassault Systemes” punoi plot dy vjet mbi këtë projekt.
U përdor edhe mikrogërmimi, një teknikë që zbulon ndryshimet e dendësive të materialeve, nga e njëjta kompani që zbuloi edhe boshllëqet në brendësi të piramidës.
Jean Pierre Houdin ka ndërmend që shumë shpejt ta provojë edhe në vend teorinë e tij, sigurisht pa përdorur mjete që do ta dëmtonin strukturën./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post