Lëvizja Vetëvendosje në krye me liderin Albin Kurti, fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kurti, në intervistat që ka pasur ka theksuar gjithmonë që prioritetet kryesorë të punës së tij do ta ketë luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e ekonomisë.
Të njëjtin mendim ndanë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Vjosa Osmani, duke u shprehur që rëndësi do kenë mjaftë lufta kundër korrupsionit e gjithashtu edhe zhvillimi i ekonomisë. Pra, bashkëpunimi mes dy partive do të jetë në maksimum, kështu duke zhvilluar ekonominë e shtetit dhe luftën kundër korrupsionit gjithashtu.
Gjatë ditës së Hënë, Kurti priti Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, Jessica Long dhe shefja e Sektorit Ekonomik në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Lori Michaelson. Në këtë takim u bisedua mbi idetë e dy partive në themelin e qeverisë së re dhe ndërtimin e institucioneve sa më parë.
Kurti, pas takimit tregoi që përpos luftës ndaj korrupsionit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson u ndanë edhe idetë tona për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor. Bindja jonë është se zhvillimi ekonomik i integron edhe qytetarët me bindje e besime të ndryshme brenda Republikës por edhe shtetet mes vete.
Përveç Kurtit, me z. Kosnett dhe znj. Michaelson, u takuan edhe nënkryetarët, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, të cilët u shprehën pas takimit, që për prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.
Burjani: Dialogu i jashtëm sërish mund ta rrëzojë edhe këtë Qeveri
Në lidhje me këtë temë, juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, për “Bota sot”, u shpreh që ekzisotjnë dy prioritete, ai i jashtëm dhe i brendshëm, mirëpo Burjani, shprehët që sfidë mbetet mbrojtja e shëndetësisë së qytetarëve dhe se duhet të fillojnë me një renditje të temave, me të cilat do të merren së pari.
“Prioriteti i jashtëm është dialogu, ai i brendshëm është sfidues veçmas ekonomia, perspektiva për të u ofruar për qytetarët, jo fjalë dhe demagogjia dhe mbledhje fjalësh kot dhe pa bereqet, pra me qenë konkretë. Sfidë mbetet mbrojta shëndetësore e qytetarëve se si do të ndodhë apo fare nuk të ndodhë dhe do të vazhdojë gjendja e rëndë në shëndetësi, korrupsioni dhe reforma sektoriale, pra tash varet ka ia nisin dhe si duhet filluar në renditjen e temave”, u shpreh, Burjani.
Më tej, Burjani, tha që dialogu i jashtëm mundet përsëri ta rrëzoj këtë qeveri, me gjithë optimizmin që po shfaqet.
“Dialogu i jashtëm sërish mund ta rrëzojë edhe këtë Qeveri me këto ide dhe pikëpamje që ka VV e që i frikësohet në masë të madhe LDK, e cila nuk është e prirë për aventura dhe fjalë patriotike boshe, pra ka shumë gjëra praktike për të kryer, shpresat janë kjo është me rëndësi. Tash sa arrihet me reforma në katër vjet nëse veç kjo Qeveri qëndron katër vjet mbetët për të u parë të shohim se si do të perfomojë.
Haziri: Qeverinë e re e presin një mal punë dhe një numër pasojash jo të vogla
Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, tha që Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë prioritet mirëqenien e qytetarëve të vendit, por që nuk duhet të anashkalohet as dialogu me Serbinë pasi që kërkon një përkushtim të Qeverise për një njohje reciproke me Serbinë.
“Natyrisht që për qeverinë e re të Kosovës prioritare duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve të vendit, zhvillimi ekonomik,ngritja e cilësisë në arsim e shëndetësi, në fushën e sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, krahas kësaj prioritare duhet të jetë edhe dialogu me Serbinë, një proces që kërkon vëmendje dhe përkushtimin e qeverisë së re për të arritur një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë, proces ky që do t’i hapë perspektivë vendit, sidomos në fushën e integrimeve euro-atlantike dhe për një stabilitet ndër fqinjësor me Serbinë”, tha Haziri.
Tutje, Haziri, tha që një mal punë e presin Qeverinë e re, për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar qeverisja baditeske e ish-koalicionit PAN, e që përfshihen edhe disa pasoja të vogla.
“Pra qeverinë e re, e presin një mal punë sidomos edhe një numër pasojash jo të vogla që duhet t`i lajë të cilat ia ka shkaktuar qeverisja baditeske e ish-koalicionit PAN, që edhe këto kërkojnë kohë e përkushtim, sidomos në rrafshin ndërkombëtar, ku imazhi i vendit tonë lë shumë për të dëshiruar. Si pasojë e një përfaqësimi të dobët dhe misionet diplomatikë të cilat janë të karakterizuar me staf të dobët e jo profesional, me emërime politike e familjare pa asnjë kriter”, përfundoi Haziri.
Duhanaj: Jo vetëm për këtë Qeveri, por për të gjitha, primare duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve
Në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Leon Duhanaj, tha që mirëqenia e qytetarëve të vendit duhet të jetë primare dhe se për ti arritur objektivat është e nevojshme zgjidhja e problemeve , siç është ai me Serbinë.
“Jo vetëm për këtë Qeveri, por për të gjitha, primare duhet të jetë mirëqenia e qytetarëve, zbatimi i plotë i shtetit të së drejtës, kthimi i besimit dhe shpresës së qytetarëve për një jetë të mundshme dhe të dinjitetshme në Kosovë. Megjithatë, për t’i arritur objektivat, është e nevojshme dhe e domosdoshme edhe zgjidhja e problemeve, siç është ai me Serbinë. Kjo pasi që ky problem, na është shndërruar në problem të jashtëm, por çfarë është me keq, edhe në të brendshëm. Këndej është domosdoshmëri zgjidhja e këtij problemi, në mënyrë që Kosovës t’i hapin rrugën, t’i hapet perspektiva drejt prosperitetit dhe integrimit”, u shpreh Duhanaj.
Duhanaj, me tej, tha qeveria e Kosovës, duhet t`i dallojë problemet e shtetit të vetë dhe jo të i bëjë në tema të mëdha, pasi duke bërë secili punën e vetë kjo do të mjaftonte të mbulonin dështimet dhe paaftësinë për t’i prirë shtetit.
“Qeveria e Kosovës, duhet t’i dallojë problemet e shtetit të vetë dhe, jo t’i koncentrojë të gjitha forcat në të ashtuquajtura tema të mëdha, duke e zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet thelbësore në vend. Çdo, segment është i mbuluar me staf dhe buxhet të caktuar. Prandaj nuk la asnjë nevojë që diçka të lihet anash, për hir të diçkaje tjetër. Secili le ta bëj punën e vetë dhe kjo do mjaftonte. Çdo përpjekje për t’i përzier çështjet, apo për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik, është pasqyrim i përpjekjeve për t’i mbuluar dështimet dhe paaftësinë për t’i prirë shtetit”, përfundoi, Duhanaj.
Discussion about this post