Këto ditë u bë shumë zhurmë rreth “Shengenit Ballkanik” tre palësh, Serbi, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri që u lancua në Novi Sad. Ishte pa pikë dyshimi shumë zhurmë për asgjë. Nuk u firmos asnjë marrëveshje, asnjë instrument detyrues, por thjeshtë u bë një deklaratë propogandistike parimesh të përzjera dhe të përsëritura nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe nga Marrëveshja Shengen të Bashkimit Europian. Natyrisht, kjo nuk do thotë se ishte zhurmë pa dëm dhe pa rrezikshmëri.
- Arrnë e re në thes të shqyer
“Shengeni Ballkanik” tre palësh ose “Shengeni Serbo-centrist” është një ide e vjetër me petka të reja, është një doktrinë Serbo-Ruse me terma Euro-Perëndimore, është një një arrnë e re në një thes të shqyer, është një mirëkuptim propogandistik mbi nje realitet kontradiktor.
Është ide e vjetër sepse prej më shumë se një shekulli Serbia ka tentuar në kohë, terma dhe mënyra të ndryshme të bëhet qëndër e Ballkanit dhe ta dominojë atë. Fakti që këtë herë u takuan në Novi Sad nuk e zbeh aspak që Beogradi është në qëndër.
Doktrina e Garashaninit në vitet ’40 të shekullit 19-të synonte krijimin e një Serbie të Madhe, ‘Nacertanie”, si qëndër Ballkanike. Gjatë “Krizës Lindore” 1877-1878, sërish Serbia tentoi të përfitonte nga kriza Ruso-Osmane që të përfitontë troje e popullsi të huaja, duke synuar të bëhej qëndra politike midis Autro-Hungarëzëve, Rusëve dhe Osmanëve. Mbas Luftës së Parë Botërore, kur ambiciet e Serbisë u përplasën në periudhën post-Osmane me Vjenën dhe Italinë, Beogradi inicioi Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, duke u bërë qëndër e kësaj mbretërie trepalëshe. Në periudhën midis dy luftrave botërore, Serbia centraliste u përball me rivalitetin Kroato-Sloven federalist. Në vitin, 1929, Mbreti Serb Aleksandri I, e quajti krijesën serbe “Jugosllavi”, duke u përpjekur të gjejë kompromisin me Kroato-Slovenët, por me qëndër Beogradin.
Në këtë periudhë, midis dy luftrave Botërore u ndërmorrën tre Konferenca Ballkanike, me synimin “Ballkani, Ballkanasve”, si kundërvënie e fuqive Evropiane, por në fakt ishte tendencë për dominime nacionalizmash Ballkanik, një prej më agresivëve ishte nacionalizmi Serb. Trë tre Konferencat në fjalë dështuan nga rivalitetet e brëndshme Ballkanike dhe problemet e pakicave etnike.
Mbas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të influencës më të madhe në Internacionalen Komuniste, Bullgaria e Dimitrovit tentoi të krijonte “Federatën Ballkanike”, ide kjo që ndeshi në kundërshtim të fortë nga Beogradi. Ishte Josif Broz Tito, themeluesi i Jugoslavisë së AVNOJ-it të mbas Luftës së Dytë Botërore, që tentoi të zgjeronte Federatën Jugosllave me përfshirjen e Shqipërisë në të. Për arsye ideologjike dhe strategjike Stalini e ndaloi një iniciativë të tillë, duke shpëtuar Shqipërinë nga gëlltitja Jugosllave.
Mbas rënies së Murit të Berlinit dhe transformimeve politike dhe gjeopolitike në Evropën Lindore dhe BRSS, Jugosllavia u përfshi në krizë komplekse, në qëndër të së cilës ishte ambicia e Beogradit për të vënë nën kontroll gjithë ish-Jugosllavinë e Titos. Milloshevici i vuri republikat e ish Jugosllavisë përballë alternativës kërcënuese: ose të pranonin kontrollin centralist të Beogradit, ose të gjithë serbët, kudo që ndodheshin, do të bashkoheshin në një shtet të vetëm, në Serbinë e Madhe. Dihet se cfarë pasojash prodhoi politika e Milloshevicit.
Mbas rënies së Milloshevicit, diktatura Serbe ka rënë, por doktrina e “Serbisë së Madhe” vijon të mbetet e gjallë aktive, por e veshur me petka diplomatike dhe e kamufluar pas termave të reja, kryesisht Europiane. Thelbi i politikës së jashtme të Serbisë ka ndryshuar shumë pak. Ajo vazhdon të jetë nacionalisht ambicioze, duke tentuar të rikthejë pozitat e humbura nga koha e Milloshevicit. Këto ambicie lexohen qartë në qasjen Serbe ndaj Kosovës, Bosnie-Herzegovinës, Kroacisë dhe pakicave serbe kudo që janë. Në rrashin Ballkanik, ambicia Serbe vijon të mbetet për tu rikthyer në qëndër Rajonale me gjithë kuptimin e kësaj fjale. Për këtë Beogradi përdor gjeostategjinë bivektoriale Euro-Aziatike. “Mini-Shengeni Serbo-centrist” është pjesë e kësaj taktike të Beogradit, në të cilën u bënë pjesë edhe Maqedonia e Veriut, edhe Shqipëria.
2 .Izolim i Kosovës me ‘bekimin’ e Tiranës
Takimi i Novi Sadit është paraparë që të lërë jashtë tij Kosovën. Ky takim nuk mund të bëhej me Kosovën përsa kohë qeveria e kaluar kishte Haradinajn kryeministër, që vuri taksën 100 përqind për importeve Serbe. Por, ky takim nuk mund të bëhej me Kosovën, as me qeverinë e re, pa e ditur se kush do fitonte zgjedhjet dhe do bëhej kryeministër pas zgjedhjeve. Takimi i Novi Sadit me qëllim që të linte jashtë Kosovën, mund të bëhej taktikisht në periudhën vakum midis qeverisë në ikje Haradinaj dhe qeverisë në ardhje Kurti.
Nxitimi për ta bërë takimin e Novi Sadit në një kohë tranzicioni midis dy qeverive në Kosovë nuk lexohet si rastësi. I dëshpëruar me Haradinajn dhe i pasigurt me Kurtin, Vucici, dhe kjo është krejt e qartë, luajti me datën e takimit të Novi Sadit për ta izoluar Kosovën. Maqedonia e Veriut bëri oportunistën, duke u pajtur me të. Nuk është e qartë nëse Tirana zyrtare ra paditurisht në grackën e Vucicit apo u dakordua me vullnetin e saj. Mungesa e transparencës së Qeverisë Shqiptare nuk na ndihmon aspak për këtë. Por, sidoqë te jetë, as Beogradi, as Tirana, as Shkupi dhe as të trija së bashku nuk mund të flasin dhe veprojnë në emër të Kosovës dhe popullit të saj. Koha kur Beogradi, satelitët dhe serbofilet Ballkanik flisnin e vepronin në emër të Kosovës dhe popullit të saj ka mbaruar një herë e përgjithmonë.
- Hapje portash për Rusinë me ‘bekim’ të Beogradit
Nuk mund të krijohet kurrëfarë Federate Jugosllave më në Ballkan, as me doktrinat e vjetra dhe as me termat e reja, as me gjuhë diplomatike të MSA dhe as me modele Shengeni European. MSA e kanë firmosur dhe ratifikuar të tre këto vënde. Gjithashtu, treshja Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut janë edhe pjesë e Shengenit. Duke qënë pjesë e MSA dhe e Shengenit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë as cfarë shtojnë dhe as cfarë heqin mbi termat e tyre.
MSA dhe Shengeni janë instrumenta normativ Evropianë që rregullojnë katër lëvizjet e lira: të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve. Nëse këto akte normative Evropiane nuk zbatohen plotësisht në Ballkan, kjo ka të bëjë me kulturën anti-juridike dhe anti Evropiane të lidershipeve dhe administratave Ballkanike, të cilat firmosin pa hezitim aktet juridike Evropiane, por i shkelin ose i gjymtojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë dhe të bashkëpunimit Rajonal.
Prapa mendimi i “Shengenit Ballkanik Serbo-centrist” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Kosovën, për Ballkanin dhe mbarë BE. Është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Kosovën sepse shton presionin e shteteve Ballkanike mbi të, duke përfshirë mjerisht edhe Shqipërinë, për të rishikuar heqjen e taksës mbi importet Serbe, pa kurrëfarë kushtezimi në mbrotje të Kosovës, dhe plotësisht në favor të Serbisë. Taksa mbi importet Serbe në Kosovë ishte reagim vetëmbrojtës i Kosovës përballë politikave agresive armiqsore të Serbisë. Serbia ka bllokuar dialogun me shkeljen e marërveshjes së Brukselit të vitit 2013, ka penguar integrimin e Kosovës në organizatat e UNESC-s dhe INTERPOL-it dhe ka sponsorizuar tërheqjet e njohjeve ndërkombëtare të disa shteteve kundër Kosovës. E tani, që taksa është në fuqi, është e udhës që Kosova të kushtëzojë heqjen e saj me masa konkrete kundër Serbisë. “Shengeni Ballkanik Serbo-centrist” tenton që ti bëjë presion Kosovës për heqjen e taksës në mënyrë të pakushtëzuar, ose ta bëje atë “fact accompli”, përmes Tiranës zyrtare.
“Shengeni Ballkanik” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Ballkanin sepse synimi dhe formati i tij do ngjallë problemet e fqinjësisë në Ballkan dhe do thellojë fragmentimin e tij. Duke u vënë në qëndër të këtij “Shengeni Ballkanik Serbo-centrist”, Serbia don të anashkalojë dhe jo të zgjidhë problemet serioze me fqinjët e saj. Deri tani, Serbia është gjeneruese problemesh fqinjësore dhe pengesë bashkëpunimi Ballkanik. Me gjithë fqinjët, në një masë apo tjetër, dhe me gjithë Ballkanin, në një fushë apo tjetër, Serbia është vetë problemi dhe jo zgjidhja. Fakti që fqinjët e drejtpërdrejtë të Serbisë, Mali i Zi, Kosova, Bosnie-Herzegovina dhe Kroacia kanë abandonuar këtë format “Shengeni Ballkanik Serbo-centrist”, do thotë se ato i njohin mirë problemet dhe vështirësitë që ka krijuar dhe vijon të krijojë Serbia me to dhe me mbarë Rajonin.
“Shengeni Ballkanik Serbo-centrist” është i dëmshëm dhe i rrezikshëm edhe për mbarë Evropën. Në thelb ky lloj Shengeni serbo-centrist tenton t’i hapë portat Rusisë. Përsa kohë politika dhe gjeostrategjia Serbe është bivektorëshe Euro-Ruse, lypet të kuptohet se cdo hap i Serbisë me fqinjët, Ballkanin dhe Evropën i hapë rrugën Rusisë për të dëpërtuar dhe për të rritur praninë dhe ndikimin në fqinjët e Serbisë, në Ballkan dhe në mbarë Evropën. Serbia ka vendosur të jetë “Kali i Trojës“ i Rusisë në Ballkan dhe në Evropë. Shengeni serbo-centrist tenton t’i krijojë hapsirë gjeopolitike dhe gjeostrategjike Rusisë, në një kohë kur Bashkimi Evropian po ashpërson strategjinë kundër ofensivës Ruse në Evropë.
Me pak fjalë “Shengeni Serbo-centrist” është gracka e radhës e Serbisë për të izoluar Kosovën, për të dominuar fqinjët, për të fragmentuar Ballkanin dhe për t’i hapur portat Rusisë si karshillët kundër Bashkimit Evropian. Asgjë të drejtë, të arsyeshme dhe të dobishme nuk pritet të vijë nga “Shengeni Serbo-centrist”. Ky lloj “Shengeni” është një dublim i panevojshëm në termat Evropiane. Por, është shumë i dobishëm në termat Serbe-Ruse.
Discussion about this post