U prit se një vendim nga Lidhja Demokratike e Kosovës për koalicion me Vetëvendosjen dje do të ishte më konkret, por kjo gjë nuk ndodhi.
Lidhja Demokratike e Kosovës po tregon hezitim sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje që ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit sipas rezultateve preliminare, shkruan lajmi.net.
Dje, në mbledhjen e kryesisë së LDK-së është vendosur të pritet për certifikimin e rezultateve në mënyrë që të vendoset për koalicionin me Vetëvendosjen – e në këtë mbledhje nuk u caktua as ekipi negociues me VV-në, arsye për të cilën edhe ishte thirrur mbledhja.
Menjëherë pas takimit, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa për media ka thënë se do të presin për certifikimin e rezultateve që të vendosin për koalicionin me Vetëvendosjen.
“Sot diskutuam për rezultatin e ngushtë me VV-në. Po presim rezultatin final. Mos të përjashtojmë edhe 40 mijë votat e diasporës. Zhvillimi i takimeve me VV-në do të fillojnë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja. Në momentin që certifikohen rezultatet do të fillojmë bisedimet me VV”, tha zëdhënësi Besian Mustafa.
Ai thotë se është një rezultat i ngushtë mes dy partive, dhe se duhet të pritet deri në numërimin e votës së fundit.
“Kemi një rezultat të ngushtë kemi dallim me pak se 2500 vota. Andaj do t’i presim certifikimin e rezultateve. Takimi i radhës me VV-në do vazhdoj pas certifikimit”, tha ai.
Discussion about this post