Po zhvillon edhe më tutje fushata elektorale në Kosovë ku partitë politike që garojnë në zgjedhje po shpalosin para qytetarëve plan-programet e tyre qeverisëse.
“Arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit, rritja ekonomike, e integrimi”, këto janë temat kryesore me të cilat subjektet garuese po e kërkojnë votën e qytetarëve, shkruan lajmi.net.
Përvoja politike në Kosovë ka treguar se shumë nga premtimet parazgjedhore, pas zgjedhjeve bëhen vështirë të realizueshme, derisa lajmi.net ka kontaktuar Jeta Krasniqin nga Instituti Demokratik i Kosovës për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.
Krasniqi për lajmi.net është shprehur se edhe sipas monitorimin të Demokracisë në Veprim, temat kryesore të fushatës janë ekonomia, arsimi dhe shëndetësia.
“Jemi duke parë që të gjitha partitë politike po i shfaqin para qytetarëve programet e tyre politike të cilat edhe nëse i shohim nga monitorimi i fushatës zgjedhore që është duke e bërë Demokracia në Veprim, temat kryesore janë ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, por edhe sundimi i ligjit dhe drejtësia përmendet nga të gjitha subjektet politike”, tha Krasniqi për lajmi.net.
Krasniqi tha se premtimet që jepen nga partitë politike në Kosovë gjatë fushatës, jo domosdoshmërish kthehen në veprim politik.
“Tani ne kemi parë patjetër në vazhdimësi që premtimet jepen nga partitë politike por ato jo domosdoshmërisht kthehen në veprime politike në momentin kur formohet qeveria”, tha më tutje Krasniqi.
Po ashtu, ajo është shprehur se është e qartë sipas saj se qeveria e ardhshme do të ketë dy tema kryesore për t’i zgjidhur, dialogun dhe taksën.
“Një gjë që unë mund ta them është mese e qartë se qeveria e ardhshme një temë për të cilën duhet të merret është dialogu dhe çështja e taksës, normalisht që lufta kundër korrupsionit do të mbetet çështje prioritare dhe vendosja e rendit dhe ligjit”, tha Krasniqi.
Nga ajo që ka vlerësuar Krasniqi, mbetet të thuhet se heqja ose pezullimi i taksës dhe krijimi i kushteve për rifillimin e dialogut do të jetë kusht për qeverinë në ardhje nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Mbetet të shihet nëse partitë politike do të zbatojnë pikat e cekura në plan-programet e tyre politike të shfaqura para votuesve të tyre në Kosovë.
Discussion about this post