E dashura ime, mora prej teje një leter që me ka lumturuar.
Në të thuhet cdo gjë që një njeri mund ti thotë një tjetri e sidomos thuhen ato që vetëm ti mund të m’i thuash. Secili nga ne është bërë tashmë aq shumë fat i tjetrit saqë fjalët mund të shkojnë këtu fare pak. E prapseprapë çdo herë çuditem pa masë dhe jo për gjë, por nga fakti që në një kohë të rrëmujës së madhe, dy jetë kaq të ndryshme që kishin bërë aq e aq kërkime që shpesh hiqnin dorë nga këto kërkime, u bashkuan kokërr për kokërr.
Erich Maria Remarque
Sa ngrohtësi të pashpenzuar kam ende në veten time, kjo ngrohtësi është aq e madhe, sa mund të mbajë brenda zemra ime. Eshtë e çuditshme si u kthye çdo gjë në dashuri. Si ndodhi që shumë gjëra që gjithë jetën i kam urryer, u bënë të rëndësishme e tërheqëse e të tjera gjëra që më parë i lakmoja e i kërkoja, u zhytën në harresë.
E ç’mund të jetë më i mrekullueshem se zakoni, më e dëshirueshme se shpresa, çfarë mund të lumturojë më tepër se përputhja e plotë e ndjenjave tona.
Si ka mundësi që për mua çdo gjë që ekziston në këtë botë, ndriçohet nga këto rreze, të një ndjenjësie të pa fund! Sa larg e pa vlerë duket tani shkelqimi i rremë i aventurave, shqetësimet, prirja fëminore për të prishur, shpenzim të parave pa kriter e harresë.
Nuk dua të harroj më, por të kujtoj që të mbledh sa më shumë për ne të dy.
Ti je kupë, je zemër e hapur për të tjeret, ti që je gjithmonë e gatshme. Unë të dua dhe çdo gjë tek unë rritet e turret prapë drejt teje.
Era fryn e lekund kallinjtë që fëshfërinje si krahë të medhenjë. Përqafomë fort e dashur, përqafomë sepse nganjëherë me kaplon frika nga gjërësia e plotesia e ndjenjave, aq të reja janë ato për mua. Mund të mendosh se malli i ngarkuar është më i rëndë se vetë anija dhe se tani po i con era në det të hapur.
Kjo është një frikë e kote dhe në përgjithësi nuk është fare frikë, vetëm se është grumbulluar aq shumë dashuri, saqë mbrëmjeve më erren sytë e cdo gjë mbulohet me hije; ja , pra, sa shumë përulem e gjunjëzohem para asaj që ndjej.
Kjo është pjekuria e stinës së verës që ka mbjellë lulëzimin, megjithëse askush nuk ka mbjellë asgjë, kjo është një verë me bimë të egra e një dashuri e harlisur, një lule e bukur dhe e fortë e jetës, lule që ka qëndruar shumë kohë e vetmuar. /KP/
Discussion about this post