Islamofobia dhe turkofobia shqiptare nuk janë thjesht shfaqje degradimi të brendshëm shqiptar, që kërkon vetëshkatërrim të këtij indi kombëtar, si ajo sëmundja e vetëshkatërrimit të imunitetit në trupin e shëndoshë të njeriut, por është kjo lojë mercenare e politikave për shkatërrimin e këtij kombi shqiptar, kështu si është krijuar etnikisht gjatë shekujsh dhe siç u formësua edhe në procesin e myslimanizmit në suazat e Perandorisë Osmane
Janë dy tema që shkrihen lehtë në një dhe që janë trajtuar shpesh, bashkë ose veç e veç, në kohë të ndryshme e nga këndvështrime të ndryshme në mendimin politik shqiptar. Rreth këtyre temave kam shkruar shpesh nga një këndvështrim nacionalist. Por, për konsekuencë qëndrimi e mendimi, jam i prirë të përfshihem në trajtimin e tyre sa herë ato bëhen papritmas pjesë e ligjërimit politik e publicistik të ditës dhe këtë e diktojnë zhvillimet e reja të ngjarjeve ose ashpërsia e debatit rreth tyre. Kështu ndodhi gjatë muajit gusht 2019, kur dolën edhe një herë në pah me mprehtësi dy probleme të njohura: rreziqet me të cilat ndeshen shqiptarët dhe përcaktimi sa më qartë i armikut kryesor të shqiptarëve.
* * *
Për ta shtruar kështu problemin, më nxiti së pari sugjerimi i redaksisë së revistës “Shenja”, që temë e numrit të muajit shtator të jenë marrëdhëniet shqiptaro-turke qysh nga koha e Perandorisë Osmane, si dhe një shkrim i shkrimtarit Kim Mehmeti me titullin shumë ngacmues e shqetësues “Shqiptaria po shkon udhës së vetëshkatërrimit” (gazeta “MAPO” në Tiranë, më 20 gusht 2019). Sugjerimi nga redaksia e “Shenja” u bë edhe më aktual në ditët e para të muajit gusht nga shpërthimi në Shqipëri e Kosovë i një cikli tëri të islamofobisë e turkofobisë, që gjithnjë janë të pranishme në qëndrimet e mendësitë politike, intelektuale, madje dhe popullore, tek shtresa të caktuara të popullsisë së Shqipërisë. Islamofobia tek shqiptarët është dukuri e importuar, veçanërisht agresive në këto 30 vjetët e fundit të “epokës së demokracisë”, kurse turkofobia është kultivuar me herët për nevoja të zgjimit kombëtar shqiptar dhe të përpjekjeve për shkëputje nga Perandoria Osmane, kur ajo po lëngonte në shtatin e vdekjes. Por, është e “çuditshme” se si mendimi politik, intelektual dhe propaganda shqiptare asnjëherë nuk i kanë kushtuar vëmendje një përshkrimi shumë domethënës mbi rrjedhojat e përplasjeve midis shqiptarëve sipas ndarjes fetare të përshkruar e të shpjeguar nga Sami Frashëri (“Shqipëria ç’ka qenë…”, Tiranë 1980, f.80). Ka shenja mjaft të dukshme se që, mesa po duket, po ringjallen tani sërish, këtë radhë në trojet shqiptare. E vlen të citoj pakëz gjatë mendimin e Samiut: “Në kohërat e pastajme shqiptarët myslimanë kanë punuar e janë vrarë për turqit e shqiptarët e krishterë për grekët, për këto dy kombe, të cilët asnjëri, as tjetri s’ua dinë të mirën e ua shpërblejnë me të keqe, duke u përpjekur për humbjen kombit shqiptar. Boçari, Xhavella, Miauli e të tjerë më të shumët e trimave që janë përpjekur për ngjalljen e lirinë e Greqisë kanë qenë fjeshtë shqiptarë e jo fare grekë; po nga trimëria e tyre fitoi shumë Greqia e jo fare Shqipëria. Në sytë e botës luftonin grekët me turqit, po në të vërtetë luftonin shqiptarët e krishterë me shqiptarët myslimanë. Kur mundnin ata fitonte Greqia, kur mundnin këta fitonte Turqia, por gjaku që derdhej nga të dy anët ishte gjak shqiptari. Shqiptarët vriten vëlla me vëlla të tjerët fitojnë”. Ka shumë shenja që tregojnë se bëhen përpjekje për të ngjallur sërish një atmosferë si kjo, në dobi të Greqisë e të fqinjëve të tjerë të krishterë të shqiptarëve sot. Por, këtë radhë islamofobia po përdoret brenda tokave shqiptare si forcë zjarrndezëse. Veçse kjo është forcë më shumë nga jashtë botës shqiptare sesa një dukuri brenda radhëve shqiptare.
“Shqipëria po shuhet”
Shkrimi i Kim Mehmetit e paraqet me shumë pezëm, por drejt, gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shqiptaria. Por, ai fajëson në mënyrë të njëanshme vetëm një krah të politikave shqiptare si pëgjegjëse (burim primar) për këtë gjendje dhe kalon shkarazi mbi armikun e faktorin e jashtëm armiqësor, që unë mendoj se është burimi kryesor i rreziqeve për zhbërjen e kombit shqiptar. Shkrimtari nga Shkupi gjasat për fundin e shqiptarisë i sheh kryesisht si përfundimin e një procesi “vetëshkatërrimi”, që armikun joshqiptar të shqiptarëve do ta gëzojë shumë, sepse i shërben atij. Ai nuk e individualizon ndonjë armik të jashtëm, që po i çon shqiptarët në shkatërrim, duke i nxitur, shtyrë e manipuluar ata drejt vetëshkatërrimit. Unë mendoj se “vetëshkatërrimi” i shqiptarëve është pasojë e veprimtarisë shkatërruese të të huajve ndaj tyre. Një debat i ngjashëm është bërë e bëhet edhe rreth dukurisë së “vetizolimit e izolimit” të shqiptarëve nga bota demokratike gjatë gjysmë shekulli diktature komuniste. Akuza e të huajve dhe e shumë shqiptarëve është se “Shqipëria u vetizolua”. Unë gjithnjë kam menduar se në këtë “vetizolim” ka ndikuar izolimi që i kanë bërë Shqipërisë fuqitë demokratike për kombinacione diplomatike.
Ky shtjellim i rreziqeve për shqiptarësinë dhe i burimeve të tyre vlen për të rihapur një debat më të madh, jashtë kuadrit të një shkrimi publicistik, duke shtruar pyetjen që kapërcen kufijtë e një shkrimi publicistik: Janë të huajt që përpiqen të shkatërrojnë shqiptarinë apo janë shqiptarët që kërkojnë e gjejnë aleatë të huaj për të shkatërruar vetveten? Në shtypin e Shqipërisë nuk ndërpriten shkrimet alarmdhënëse se para fundit të shekullit XXI, brenda pas 50 viteve të ardhme, popullsia e Shqipërisë do të katandiset në 500,000 banorë, pra në një popullsi edhe më të vogël se ajo që kishte shteti i cunguar shqiptar, që u njoh në vitin 1913. Sipas studimeve që paskan bërë mekanizmat e OKB-së, “Shqipëria po shuhet”. Nga Shqipëria gjatë vitit 2018 qenkan larguar 52,000 njerëz (nga Serbia – 51,000; nga BeH – 53,300; nga Kosova – 34,500; nga Maqedonia e Veriut – 24,300; nga Mali i Zi – 3,000) (“Tema”, 21.8 2019). Kuptohet që nga zona që quhet Ballkani Perëndimor, numri më i madh i të ikurve janë shqiptarë. Joshqiptarët e kësaj zone këtë ikje shqiptare e kanë dashur gjithnjë. Edhe tani, ministri i Jashtëm serb, Daçiq bën sarkazëm pse nuk po lejohet lëvizja e lirë për shqiptarët e Kosovës dhe premton të vërë në dispozicion autobusë që shqiptarët të ikin sa më shumë. Tashmë dihet se “shqiptarnia” e Ballkanit ka mbetur me kohë pjesa më e vogël e diasporës shqiptare. Një udhëheqës i lartë turk, para pak vitesh, deklaroi në Sarajevë se në Turqi ka më shumë shtetas turq me origjinë shqiptare sesa janë numri i gjithë shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, pra në zonat etnike shqiptare. Miliona shqiptarë, gjatë emigrimeve të mëhershme dhe qindra mijë të emigracionit të 30 viteve të fundit janë në Greqi. Shumë shqiptarë janë në Europë, SHBA e vende të tjera. Pra, “shqiptarnia” është kthyer në një “Diasporë shqiptare” si dikur diaspora çifute. Fjala “Diasporë” ka qenë sajuar enkas për çifutët që u shpërndanë gjithandej para 2500 vitesh dhe që e shtuan numrin e tyre duke konvertuar në judaizëm edhe popullsi joçifute.
Por, cili do të jetë fati i shqiptarëve tani e tutje, sepse shqiptarët ndryshe nga çifutët janë në gjendjen e ikësve e të hapërdamëve nëpër botë jo në gjendjen e grumbullimit si çifutë në shekullin XIX e XX? Për më tepër, shqiptarët asnjëherë nuk kanë shfaqur fanatizëm refuzues për t’u integruar në shoqëri të tjera, nuk kanë treguar aftësi asimiluese të të tjerëve. Përkundrazi, shqiptarët kanë treguar gatishmëri e dhunti për t’u asimiluar atje ku kanë shkuar, madje dhe brenda në trojet e tyre etnike. Shqiptarët sot janë bërë përfundimisht etni, popull e komb diasporist modern. Për të gjykuar mbi pasojat e kësaj gjendjeje të tyre dhe për të hamendësuar për të ardhmen e tyre duhet të kërkojmë paralele historike. Përqasja që mund të na ndihmojë më shumë të zgjohemi sot është ajo e rastit të shqiptarëve me çifutët, si diaspora më të mëdha kombëtare në krahasim me popullsinë në shtetin kombëtar. Çifutët vuajtën në shekuj nga antijudaizmi fetar, nga antisemitizmi politik, nga politika e përbindshme Holokaustit (edhe kjo është fjalë e sajuar enkas për tragjedinë e tyre). Por, ata kanë arritur të ruajnë e afirmojnë indiviualitetin në tyre, në saje të sionizmit politik (nacionalizëm laik çifut), bënë dhe shtetin e tyre atje ku deshën dhe tani janë komb e shtet që imponon ambiciet e veta në shkallë ndërkombëtare.
Do të jetë utopi budallaqe të ëndërrojmë që shqiptarët të marrin shembull nga kjo e të synojnë objektiva të tilla si çifutët. Shqiptarët nuk duhet të përfytyrojnë veten si “popull i zgjedhur”, por ta kuptojnë si duhet se janë popull, komb e diasporë e nëpërkëmbur, që për objektiv racional dhe të arritshëm duhet ta kenë të përsosin qenien e tyre kolektive, deri në nivelin e kombeve të tjera normalë të Europës. Nuk mund të ëndërrojmë e nuk ka gjasa që të ndodhë me diasporën shqiptare ajo ecuri fatlume që rezultoi pas 2500 vitesh për diasporën çifute. Por, duhet të shqetësohemi se mos me kombin e diasporën shqiptare mund të ndodhin tragjedi si ato që i kanë goditur çifutët në Europë, para se ta krijonin shtetin e vet në Lindjen e Mesme. Gjasat janë që diaspora shqiptare, që po rritet e hapërdahet gjithnjë e më shumë nëpër botë, më shumë të jetë objekt i proceseve të egra e të lehta asimiluese, që mund të japin për shqiptarinë rrjedhoja edhe më të dëmshme se një “holokaust”, si ai që iu nënshtruan çifutët. Shqiptarët diasporistë mund të pësojnë një “holokaust” ose “gjenocid” të një lloji tjetër, të “kulturuar”, “elegant”, “lumturues” për shumë shqiptarë që po ikin nga sytë këmbët në kërkim të asaj “jetës më të mirë”, atje ku gjen me të vërtetë nivel më të lartë jetese se në Shqipëri. Por, për “shqiptarinë”, më saktë“ shqiptarninë”, ky proces do të jetë gjithsesi një “holokaust i llojit të veçantë”, që do të lejë trevat shqiptare si të shkretuara nga rrallimi i popullsisë etnike autoktone, që do ta prodhojë kolapsin demografik, që shqiptarnia nuk e ka njohur asnjëherë në një shkallë të tillë, me gjithë emigrimet e mëdha të vullnetshme ose të dhunshme të shqiptarëve.
Shqipëria pas shqiptarëve
Prandaj po i rikthehem idesë që shkrova në artikullin tim në numrin e muajit gusht se “kush do të vendoset në Shqipërinë e bukur, kur të mbetet pa njerëzit e vet”. Do të vinë ata që do të dinë ta bëjnë më mirë këtë punë?! Është për të dëshiruar që këta “popullues të rinj” të jenë në numër sa më të madh nga një mjedise me gjak shqiptar, qoftë dhe i largët. Është për të uruar që sa më shumë shtetasve turq me prejardhje shqiptare t’u lindë dëshira për t’u vendosur në tokat shqiptare, nëse vërtet do të ndodhë katastrofa e boshatisjes prej banuesve të tyre të tanishëm. Pas një hamendësimi të tillë nuk është më thjesht hamendësim të thuhet se ja ku mund të rezultojnë shumë të dobishme ato lidhjet e vjetra që janë krijuar midis Shqipërisë e Turqisë, qysh në kohën e Perandorisë Osmane, si dhe marrëdhëniet e mira që kanë ekzistuar midis Shqipërisë e Turqisë së sotme e që nuk duhet lejuar të cenohen ose shkatërrohen nga shpërthimet e islamofobisë e të turkofobisë, që i shkojnë përshtat politikës që ndiqet prej shekujsh për shkatërrimin e shqiptarnisë në Ballkan.
Islamofobioa dhe turkofobia shqiptare nuk janë thjesht shfaqje degradimi të brendshëm shqiptar, që kërkon vetëshkatërrim të këtij indi kombëtar, si ajo sëmundja e vetëshkatërrimit të imunitetit në trupin e shëndoshë të njeriut, por është kjo lojë mercenare e politikave për shkatërrimin e këtij kombi shqiptar, kështu si është krijuar etnikisht gjatë shekujsh dhe siç u formësua edhe në procesin e myslimanizmit në suazat e Perandorisë Osmane. Këto janë gjëra të thëna, por duhen përsëritur.
Por, para se të biem në pesimizëm nga arsyetime e hamendësime të tilla, le të mendojmë: a do të ndodhë vërtet ajo katastrofë të cilës i trembet me të drejtë Kim Mehmeti “vetëshkatëtrimi i shqiptarëve”? Ta bëjmë pyetjen edhe më shkoqur: cili është armiku më i madh i shqiptarëve, armiku i jashtëm që do t’i zhbëjë si komb e si shtet apo armiku i brendshëm që e bën punën e armikut të jashtëm, meqenëse nuk po pengon shqiptarët ta mbrojnë e sigurojnë qenien e tyre si shqiptarë? Për këto janë bërë shumë debate, sidomos gjatë 30 viteve të fundit në publicistikë e mendimin politik në Shqipëri. Rreth këtyre dy tezave debatet më serioze kanë nisur në periudhën e zgjimit kombëtar shqiptar dhe piketa të forta e të qëndrueshme të debatit janë ngulur edhe pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Ato që janë thënë e shkruar me kohë krijojnë bindje se “procesi i vetëshkatërrimit të shqiptarisë” nuk duhet pranuar si fatalitet, as në kushtet e sotme tejet të rënda. Në platformën e parë kombëtare, të titulluar “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” Pashko Vasa qysh në fillim theksonte: “Jeta e popujve si dhe ajo e njerëzve pëson anomali dhe copëtime”. Ai përshkruante tri kategori popujsh: “popuj që kanë bërë historinë, që kanë njohur fatbardhësi, lavdi e begati; popuj, kujtimi i të cilëve na është transmetuar në një mënyrë të errët, pavarësisht nga përpjekjet e peripecitë që kishin kaluar; popuj me prejardhje të lashtë, që kanë kaluar vështirësi të gjata dhe që “historia e tyre për shkak të mungesës së qytetënimit të përparuar ose rrethanash që ikin nga kuptimi jonë mbetet një problem zgjidhja e të cilit pritet akoma. S’ka dyshim se populli shqiptar hyn në kategorinë e tretë”. Edhe sot e kësaj dite populli shqiptar nuk ka dalë nga kjo kategori e tretë dhe ideja e shkatërrimit mbetet kërcënuese. Por, gjithë rilindësit tanë kanë pasur besim të plotë në aftësitë e popullit shqiptar për ta zënë vendin e vet midis popujve të qytetëruar. Këtë e dëshmon vepra e përmendur e Pashko Vasës e pas tij vepra e Sami Frashërit. Këtë besim e kanë pasur dhe e kanë shprehur të huajt e ndershëm e vëzhgues seriozë. “Ky popull është shembull i madh i të mbajturit të moralit dhe të meritave të trashëguara…”, ka shkruar diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams më 1915 në librin e tij “Shqiptarët”. Kështu kanë shkruar dhe të tjerë më vonë dhe vazhdojnë të shkruajnë edhe sot.
Rreziku kundër shqiptarëve
Po si mund të shpjegohet atëherë që deri tani kombi shqiptar mbetet i rrezikuar në qenien, individualitetin e dinjitetin e tij, sa të dyshtohet se ai po ecën në rrugën e vetëshkatërrimit? Përgjigjja duhet kërkuar në rolin që kanë luajtur e luajnë armiqtë e jashtëm të shqiptarëve dhe dinakëritë e faktorëve të jashtëm, që e kanë penguar dhe e pengojnë popullin shqiptar që ta përsosë qenien tij si komb i barabartë me gjithë kombet europianë. Kur shqiptarët duhej ta përsosnin qenien e tyre kombëtare në epokën e nacionalizmit në Europë e Ballkan “Fakti kryesor është se fuqitë europiane e përkrahën sundimin turk…” (Uilliams). Për rezultatet që pati mbi shqiptarët Lufta Ballkanike diplomati amerikan është shprehur se fuqitë perëndimore “prenë copa me rëndësi nga tokat shqiptare dhe ua dhanë fqinjëve në Veri, Jug dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë”.
Uilliams-i ka bërë shumë vlerësime qortuese për diplomacinë amerikane dhe europiane lidhur me trajtimin e çështjes shqiptare. Këtu po sjell edhe pak rreshta: “Asnjëherë Europa nuk doli fituese në planet e saj që me anë traktatesh e lidhjesh është munduar ta fshijë emrin e këtij populli nga radha e popujve. Shqipëria nuk e njohu Traktatin e Berlinit dhe tani e kundërshton edhe marrëveshjen e Londrës (1913)”. Kështu ka ndodhur edhe në fund të shekullit XX. Kështu po trajtohet çështja shqiptare dhe në dy dekadat e para të shekullit XXI. Veprimet e faktorëve ndërkombëtarë kanë qenë e janë burimet kryesore të rreziqeve që i kanosen kombit shqiptar.
Por vetë shqiptarët, sigurisht, nuk janë pa faj. Strukturat e tyre pushtetore, politike, intelektuale e elitare, madje dhe opinioni i rëndomtë publik nuk e kanë bërë secili si duhet punën e vet për t’iu kundërvënë me maksimumin e kundërshtimit të veprimtarisë armiqësore dhe diplomacisë mospërfillëse ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në këtë kuptim bashkohem me mendimin se shqiptarët ecin në rrugën e vetëshkatërrimit të shqiptarisë, duke mos i penguar përpjekjet e huaja për shkatërrimin e kësaj shqiptarie. Edhe gjendja e rëndë politike, plot tensione e përplasje e ngatërresa, brenda shqiptarëve në të gjitha hapësirat shqiptare, është rrjedhojë, në radhë të parë, e ndikimeve negative të faktorëve ndërkombëtarë, që për 30 vjet i mbështesin elementët e forcat më regresive shqiptare.
Duhet të përpiqemi seriozisht që të mësojmë diçka nga shembulli i izraelitëve, që çështjen e tyre e parashtrojnë gjithnjë me forcë kudo e në çdo rast, jo vetëm para armiqve, por edhe para aleatëve e miqve, që i kanë mbrojtësit më të vendosur.
Discussion about this post