46 persona të cilët po ktheheshin në Shkup nga Stambolli, humbën jetën pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin u aksidentua në autostradën Struma, rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës, shkruan Gazeta Mejdani.
Vetëm shtatë nga 53 pasagjerët, dy persona të gjinisë femërore dhe pesë të asaj mashkullore, i mbijetuan kësaj fatkeqësie, por të traumatizuar dhe me shumë lëndime trupore, kryesisht djegie, u dërguan për trajtim mjekësor në Spitalin “Pirogov”, në Sofje.
Sipas, doktoreshës Maja Argirova nga Klinika për trajtimin e Djegieve në këtë spital, në mesin e pacientëve është edhe një 17-vjeçare.
Ajo tha se të gjithë pacientët janë jashtë rrezikut për jetë. Argirova bëri të ditur se njëri nga të mbijetuarit është dërguar në Klinikën e Traumatologjisë.
Ende nuk dihet nëse autobusi u përfshi nga zjarri para se të përplasej, apo më pas. Mirëpo, nga pamjet e vendit të ngjarjes, shihet se nga autobusi ka mbetur vetëm skeleti i metaltë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili me të marrë informacionin është nisur për në Bullgari, tha se shumica e viktimave janë të moshës nga 25 deri në 30 vjeç.
Zaev tha se në mesin e viktimave janë edhe 12 persona nën 18 vjeç.
Ndërkaq, mediat bullgare raportuan se viktimat janë nga: Shkupi, Strumica, Manastiri dhe Velesi.
Autobusi ishte i kompanisë shqiptare “Besa Trans” me bazë në Shkup, i cili ishte duke u kthyer nga Stambolli, ku ishin organizuar ekskursione.
Momentalisht, autoritetet bullgare janë duke hetuar dy versione të këtij rasti.
Sipas Dnevnik, versionet kryesore që janë duke u hetuar janë: një gabim i shoferit të autobusit dhe një mosfunksionim teknik i papritur.
Kryetari i Sindikatës së Mësimdhënësve të Trajnimit Auto-Moto, Jonko Ivanov, tha për mediat bullgare se ka pasur një goditje në parmakun në të djathtë të autobusit dhe një goditje pothuajse ballore në parmakun ndarës.
Sipas tij, është për t’u habitur që nga ora 2 e natës deri në 8 të mëngjesit nuk kemi një pasqyrë të situatës. Ai e vlerësoi gjithashtu befasuese që nuk kishte dëshmitarë të përplasjes.
Gazeta Mejdani ka provuar që të kontaktojë me kompaninë “Besa Trans”, por nga e njëjta nuk i janë përgjigjur telefonatave të redaksisë e as pyetjeve në e-mail.