Grupi punues në lidhje me çështjen e targave të automjeteve nesër do të mbajë një takim në Bruksel me palën serbe.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur për Telegrafin se gjatë takimit do të shqyrtohen variantet e mundshme për një zgjidhje të përhershme.
Sipas tij, janë tri parime kryesore në të cilat do të bazohet kjo mbledhje.
“Në këtë mbledhje do të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme duke u bazuar në tre parime kryesore: i) zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, ii) të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, iii) dhe nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut”, tha Kryeziu.
Sipas tij, gjatë kësaj mbledhjeje nuk pritet të merret ndonjë vendim.
Ndërkaq, emrat e personave që e përbëjnë këtë grup punues nuk janë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.